Sherr dhe në miqësore, presidenti Noka: Hamiti pazarxhi, nuk i duroj padrejtësitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2019 | 20:58

Sherr dhe në miqësore, presidenti Noka: Hamiti pazarxhi, nuk i duroj padrejtësitë

Çuditë në futbollin shqiptar janë të panumërta. E fundit vjen nga Lezha, ku të shtunën pasdite u luajt miqësorja Besëlidhja-Vllaznia, që u mbyll me fitoren e shkodranëve, 0-1. Edhe pse ishte një miqësore, episodet alla-shqiptarçe nuk munguan.

Beselidhja

Pati tension mes Kamarasë dhe Krujës, të dy të ndëshkuar me karton të kuq, por absurd ishte kontestimi për gjykimin nga presidenti i Besëlidhjes, Gjok Noka. Aq më tepër që arbitrat ishin lezhjanë, me kryesor Eldorjan Hamiti. Një episod që kaloi pa u vënë re ishte ndërrimi i njërit prej anësorëve pas pjesës së parë. Pse? Pas një debati mes tij dhe presidentit të Besëlidhjes.

Noka u ka kërkuar “llogari” arbitrave për penalltinë e Vllaznisë dhe për një penallti të padhënë në favor të Besëlidhjes. E tepruar për një miqësore, por situata mësohet se ka shkuar edhe më keq, sepse anësori që u ndërrua kishte sharë tifozët lezhjanë, pasi këta të fundit e kishin fyer për një rast të diskutueshëm.

NOKA – Për këtë incident, “Panorama Sport” ka kontaktuar me presidentin Gjok Noka, i cili tregon gjithçka, duke kaluar edhe në akuza ndaj kryesorit Hamiti, të cilin e quan pazarxhi. “Organizuam një miqësore me Vllazninë për të testuar skuadrat. Kjo miqësore u prit shumë mirë edhe nga tifozët, që ishin më shumë se 500 në shkallët e stadiumit. Kur Vllaznisë iu dha penalltia, që nuk ishte, tifozëria reagoi ndaj gjyqtarëve.

gjok noka

Reagim pati edhe në fund të pjesës së parë, kur u pengua në zonë Gjorgjeviç dhe neve na u mohua një penallti. Kur skuadrat po shkonin në pushimin e ndeshjes, anësori Gjoka iu drejtua tifozëve me fjalë fyese dhe këtë nuk munda ta duroja para syve të mi. I thashë “nuk je për këtë punë” dhe ai u largua. Gjesti që bëri ndaj tifozëve nuk duhet të tolerohet, ndaj kërkova largimin e tij. Nuk e di pse në Shkodër e kanë fryrë këtë gjest, duke shtuar edhe një incident me drejtuesit e Vllaznisë që nuk është aspak e vërtetë.

E kisha me gjyqtarët, të cilët janë lezhjanë. Pas ndeshjes kemi qëndruar me stafin e Vllaznisë dhe kemi pirë kafe, jemi ndarë si miq. Ishte një ndeshje miqësore, por nuk e pëlqej padrejtësinë në gjykim. Na mohuan një penallti dhe na ndëshkuan me një penallti të paqenë, ndaj them se incidentet e famshme ndaj gjyqtarit Hamiti janë shkaktuar për arsye pazaresh, ku ai është përzierë.

Jemi në kulmin e përgatitjeve për sezonin e ri, po ndërtojmë një skuadër të fortë, gjë që u pa edhe në miqësoren ndaj Vllaznisë. Jam i kënaqur me punën e stafit teknik dhe të futbollistëve deri tani. Besëlidhja e sezonit të ri do të jetë fitimtare ndaj të gjithë kundërshtarëve”, tha Gjoka.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"