Sherr dhe kartonë në sfidën Vora-Tomori/ Dalipi: Goli “gangrenë”; Çani: Barazimi, i drejtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2021 | 11:28

Sherr dhe kartonë në sfidën Vora-Tomori/ Dalipi: Goli “gangrenë”; Çani: Barazimi, i drejtë

Nuk ka fitues në Pezë. Vora-Tomori u mbyll barazim, në një ndeshje vërtetë të luftuar. Ishin miqtë që kaluan të parët në avantazh me Aldrit Oshafin, por mendoi Klevis Lushaku që të shmangte humbjen për vendësit. Loja nis “zjarr”, aq sa pas 4 minutash ka edhe nerva.

Vora-Tomori

Një ndërhyrje e Sadikut dhe Shaqe rrëzohet, gjë që shoqërohet me konfrontim mes lojtarëve. Vjen edhe Zefi nga mbrojtja, madje nuk mungon as Dobra nga pankina. E megjithatë, debati vijon me fjalë. Duke qenë vetëm starti, gjyqtari Ardit Merdanaj e kalon vetëm me të verdhë për Sadikun, Zefin e Dobrën.

Pas kësaj nisjeje jo të këndshme, ndeshja ka vijuar e qetë dhe është luajtur vërtet futboll i bukur. Pjesa e parë ka qenë mjaft e mirë për Tomorin, që krijon volum loje. Bajramaj, Oshafi e Pepa janë pranë golit, por Mertkola bën shpëtimtarin. Asimeta mundohet që të shënojë nga distanca, por E.Marku bën bllokadë. Beratasit e mbyllin fraksionin e parë me gol. Një aksion i treshes Bajramaj–Pepa–Oshafi dhe ky i fundit kërcen me kokë dhe shënon për 0-1 në të 43-ën. E dyta nis me sulm për të besuarit e Klevis Dalipit.

Vora-Tomori skeda

Oshafi dhe Pepa e vendosin disa herë në provë Mertkolën, por portieri reagon më së miri. Loja e vorakëve nis kthesën vetëm pas futjes në fushë të Rivaldo Bakajt. Ai jo vetëm që elektrizoi sulmin, por kontribuoi te barazimi. Pas një krosimi perfekt të tij, Lushaku godet me kokë dhe shënon për 1-1. Vora nuk kënaqet me kaq dhe shton agresivitetin, por portieri Oltjan Haremi nuk e lejon që të preket më. Edhe pse Bakaj, Sadiku e Tavani provuan, rezultati nuk ndryshoi as për 4 minuta shtesë.

DEKLARATAT E TRAJNERËVE: 

Klevis Dalipi e quan “gangrenë” finalizimin. Edhe pse skuadra shënoi, kanë shpërdoruar dhe kjo e shqetëson trajnerin e Tomorit. “Po bëhet një gangrenë shënimi i golit. Kemi sulmues të shkëlqyer dhe lojtarë cilësorë e përvoje që veprojnë bukur, por në fazën përfundimtare nuk arrijnë të reagojnë. Kështu na ka ndodhur në ndeshjet e para, kështu ndodhi edhe me Vorën. Duhet të kishim fituar, nëse do kishim qetësi në zonë. Megjithatë, kampionati sapo ka nisur”, tha elbasanasi.

Gerald Çani e quan barazimin rezultatin më të drejtë. Pas ndeshjes, trajneri i Vorës tha: “Ishim përgatitur për fitore, por përballë kishim një kundërshtar që shfaqi cilësi e përvojë. E mendova edhe humbjen në pushim, por skuadra reagoi. Patëm tri-katër mundësi shënimi edhe pas barazimit dhe mendoj mungoi fati. Gjithsesi, ishte një rezultat plotësisht i drejtë. Ne do të përpiqemi të kemi vazhdimësi dhe epiqendra jonë tashmë është transferta në Sarandë”.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"