“S’heq dorë nga objektivi, stoli të tregojë veten”, Besa pa mesfushë, Bubeqi: Kurrë me grup të plotë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2021 | 10:48

“S’heq dorë nga objektivi, stoli të tregojë veten”, Besa pa mesfushë, Bubeqi: Kurrë me grup të plotë

Telashet nuk kanë të sosur për Besën. Sikur të mos mjaftonte stoli i vakët, çdo javë duhet të përballen me mungesa. Nëse mesfushori Erald Hyseni vuan dënimin nga Disiplina, drejt Sarandës nuk kanë udhëtuar edhe Muçaj, Tafili dhe Çela. Jo pak i shqetësuar është Dorjan Bubeqi, që “shfryn” për këtë situatë. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai thotë:

bubeqi besa

“Më mori malli ta kem grupin të plotë. Thuajse çdo javë më kanë munguar 2 ose 3 futbollistë për arsye dëmtimi apo shëndetësore. Kurrë nuk e kam fshehur që në stol kam të rinj që kanë dëshirë, por egoja e tyre nuk mjafton për të zëvendësuar titullarët”. Pavarësisht mungesave, trajneri nuk heq dorë kollaj nga objektivi.

Ai pret që rezervat të kapin shansin dhe të tregojnë sa vlejnë. “Kemi udhëtuar që sot (dje), pasi prekim ekstremin jugor të Shqipërisë. Nuk do të kem sot në dispozicion disa titullarë që nga kapiteni Muçaj, Tafili, Hyseni dhe Çela. Reparti më i dëmtuar na mbetet mesfusha me Tafilin Muçën e Hysenin.

Do të adoptojmë lojtarët që kam në dispozicion dhe në fushë nuk do hyjmë duke qarë mungesat, por me synim të qartë për të kërkuar vetëm fitoren.

Butrinti vërtet është debutues, por në fushën e tij tregon grintë e dëshirë. Ne do t’i përgjigjemi me të njëjtën monedhë. U kam kërkuar çunave që thjesht të përsërisin grintën, luftën, me besimin e dëshirën që treguan ndaj Tomorit.

Nëse arrijmë ta bëjmë këtë fitorja do të ishte sa real aq edhe e prekshme. Nuk kam çfarë t’u them më tepër veçse t’i uroj ekipit tim të ketë dhe fatin me vete”, përfundon tekniku.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"