Shënuan 5 gola në miqësore, Hoxha: U “shëruam”, kemi gjetur qetësinë para porte

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2023 | 23:14

Shënuan 5 gola në miqësore, Hoxha: U “shëruam”, kemi gjetur qetësinë para porte

Pas barazimit 2-2 me Trepçën, Besa ka “shkatërruar” 3-0 Lushnjën. Në dy miqësoret e fundit, kavajasit u shfaqën një ekip më i pjekur në të tria repartet dhe mbi të gjitha të ekuilibruar në lojën e tyre.

edmond-hoxha

Munguan gabimet në prapavijë dhe manovra sulmuese, ishte jo vetëm e qartë, por edhe e rrezikshme dhe efikase. Më shumë sesa fitorja e pastër ndaj Lushnjës, Edmond Hoxha vlerëson faktin që janë “shënuar” në finalizim.

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi analizon me detaje ndryshimet që kanë pësuar verdhezinjtë gjatë kësaj faze përgatitore. “Asnjë kundërshtar nuk ka mundur dot të na dominojë në lojë, edhe atëherë kur jemi mundur. Ne kemi bërë dy gabime fatale gjatë këtyre javëve, çfarë na kanë lënë me 19 pikë. Së pari, kemi ‘dhuruar’ gola të lehtë për kundërshtarët, dhe së dyti, kemi falur raste flagrante me shumicë. Duke nisur nga unë i pari, te këto dy defekte është përqendruar edhe stërvitja e miqësoret e janarit. Besoj se jemi korrigjuar shumë.

Tregues për këtë mbeten dy miqësoret e fundit. Kemi shënuar plot 5 gola ndaj dy kundërshtarëve realisht me emër e përvojë si Trepça e Lushnja. Këto elemente patëm nevojë t’i korrigjonim dhe miqësoret e fundit na kanë rikthyer qetësinë dhe sigurinë para portës.

Jo vetëm unë, por edhe Onuh dhe mesfushorët, tashmë janë më efikasë kur u paraqitet rasti për të shënuar. Më gëzon fakti që ndryshe nga dhjetori, tani shoh që edhe lojtarët e stolit janë rritur ndjeshëm e kërcënojnë cilindo lojtar të formacionit”, u shpreh fillimisht kavajasi.

BURRELI – Besa do të udhëtojnë drejt Burrelit në fundjavë, ku e pret një transfertë jo e lehtë. E megjithatë, Hoxha mendon se grupi ka arritur formën maksimale dhe është plotësisht i gatshëm për  ta përballuar.

“Jo më kot e thashë më lart se minimizimi i gabimeve në prapavijë dhe efikasiteti para portës janë dy elementët për të cilët kishim nevojë. Mund t’u them se në këto momente grupi është plotësisht i gatshëm dhe në formë për t’iu rikthyer garës.

Burreli është një ekip mjaft i fortë, sidomos në fushën e tyre, ndaj nga dje kemi nisur përgatitjet për këtë përballje. Jemi të vetëdijshëm se jo vetëm Burreli, por çdo ekip luan bukur atëherë kur ti e lejon.

Prandaj ne kemi rikthyer qetësinë e sigurinë që na duhej dhe nëse bëjmë atë që bëmë në Lushnjë, besoj se rezultatet nuk do të mungojnë. Por të mos bëjmë parashikime para kohe, pasi duhet ta dëshmojmë në vazhdimësi ndryshimin tonë në fushën e lojës”, përfundoi 25- vjeçari.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"