Shensoi: Na mungojnë pikët, por jemi gati të ndezim “motorët”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2023 | 20:41

Shensoi: Na mungojnë pikët, por jemi gati të ndezim “motorët”

Trajneri i Bylisit, Naxhi Shensoi, dallohet për batutat dhe karizmën e tij, e cila e bën një personazh mjaft të veçantë dhe tërheqës për publikun.
Collage Maker-28-Mar-2023-08-27-PM-2108Në një prononcim për “Panorama Sport” në lidhje me situatën e skuadrës së tij, trajneri e nis kështu: “Eh, na mungojnë pikët, sepse do të isha shumë më në formë. Por kam besim, shumë madje, sepse kam vërtet një grup djemsh shumë të mirë dhe kjo më bën shumë optimist për këto 30 pikë, që janë në lojë. Duhet që të vazhdojmë të punojmë, sepse i kemi të gjitha kushtet”, thotë fillimisht trajneri i rikthyer në Ballsh në eksperiencën e tij të tretë me Bylisin. Më tej trajneri nuk e fsheh dëshpërimin për pikët e lëna rrugës, por sidomos ato me Erzenin dhe Tiranën në Ballsh, që i quan katër pikët e minutave të fundit.

“Kemi bërë shumë punë të mirë deri më tani dhe këtë e kemi konstatuar edhe në raportet që ne si klub bëjmë. Më së shumti na vjen mirë që edhe analistët na lavdërojnë për mënyrën e lojës që ne si skuadër prodhojmë dhe që Bylisi është një faktor në futbollin shqiptar. Unë ndihen i vlerësuar, sepse ne si klub bëjmë një punë shumë të mirë, e ndoshta kemi merituar diçka më shumë. Por më vjen shumë keq që kemi lënë pikë dhe sidomos katër pikë në minutat e fundit me Erzenin dhe Tiranën. Janë pikë shumë jetike dhe kjo ndodh për anën psikologjike, për moskoncentrim dhe unë kam besim se kështu si po punojmë, më të bashkuar se kurrë, do ta kalojmë edhe këtë moment dhe dita nuk do të jetë e largët”, shtoi trajneri i Bylisit, Naxhi Shensoi.

I pyetur më pas se si kanë ecur përgatitjet për betejën me Vllazninë, trajneri i Bylisit theksoi: “Po punojmë dhe jemi munduar që të riparojmë ato defekte që shfaqëm ndaj Tiranës në fushën tonë. Ka qenë një periudhë reflektimi kjo ndërprerje. Ndoshta edhe na duhej, sepse qetësohemi pak. Kemi punuar dhe jemi gati të ndezim motorët për sprintin final. Them kështu, sepse na presin takime delikate dhe vendimtare, që ne do t’i vlerësojmë maksimalisht. Bylisi kërkon edhe më shumë nga vetja dhe nga Superiorja, kështu që duhet të jemi të përqendruar dhe të vijojmë të punojmë për ta çuar Bylisin aty ku e meriton. Janë shumë pikë në lojë dhe do të përqendrohemi për të vlerësuar çdo javë. Tashmë jemi të përqendruar te sfida e radhës me Vllazninë”, tha Naxhi Shensoi, trajneri i Bylisit.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"