Shensoi kërcënon Vllazninë: Bylisi e mbyll me fitore, por mbijetesa nuk varet nga ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2023 | 9:55

Shensoi kërcënon Vllazninë: Bylisi e mbyll me fitore, por mbijetesa nuk varet nga ne

 Bylisi pret Vllazninë në ndeshjen e fundit sot në orën 16:00 në stadiumin “Adush Muça”, me shpresën se do të luftojë për të kapur zonën “play out”, që është vendi i tetë dhe të çon në një ndeshje shtesë për mbijetesën. Mallakastriotët do të kërkojnë më të mirën, edhe pse e kanë të qartë se nuk do ta kenë të lehtë, pasi si Bylisi ashtu edhe Vllaznia janë në lojë për objektivat sezonalë.

shensoi

Trajneri Naxhi Shensoi e nisi aventurën në Ballsh në duelin kundër Vllaznisë, ku arriti të fitojë 1-0, ndërsa po sot e mbyll me kuqeblutë. E megjithatë, në Ballsh do të respektojnë veten dhe kampionatin, sido që të shkojnë sfidat e tjera. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, Shensoi theksoi se mbijetesa nuk varet vetëm nga Bylisi, pasi ka ndikim direkt rezultati i ndeshjes së rivalit direkt, Erzeni, që luan kundër Tiranës.

“Kur mora drejtimin e Bylisit, e nisa me fitore në ndeshjen me Vllazninë dhe dua që ta mbyll po kështu. Do të bëjmë gjithçka për të qenë ai Bylis që bën më të mirën në çdo ndeshje dhe që pëlqen futbollin e bukur dhe korrekt. Duam që të ndikojmë ne në fatet tona, pastaj se si do të rrjedhin ngjarjet në ndeshjet e rivalëve, ua lëmë në ndërgjegjen e ekipeve të tjera. Gara është më e hapur se kurrë, sepse janë në lojë titulli, Europa dhe mbijetesa, kështu që ne duhet të bëjmë më të mirën. Pastaj, unë nuk mund të flas se çfarë do të bëjnë ekipet e tjera. Secili bën llogaritë e veta”, deklaroi fillimisht Shensoi.

Trajneri konfirmoi se skuadra do të vuajë mungesa të rëndësishme, ashtu si nga dita e parë kur ka marrë Bylisin. Ai ndien keqardhje që disa nga lojtarët e afruar nuk e kanë justifikuar besimin. “Skuadra kishte probleme në finalizim, por disa elementë e treguan veten, sidomos Felipe dhe Antoni. Kur erdha unë e nisa me dy fitore radhazi dhe ishim në merkato, por për fatin e keq u dëmtuan si Felipe ashtu dhe Antoni. Por, lojtarët e tjerë që erdhën në janar, shumë pak ndihmuan, duke ditur investimin e madh të klubit dhe pritshmëritë që ne kishim për ta. Erdhën katër sulmues në janar dhe unë sot nuk kam asnjë prej tyre! Kanë dëmtime të gjata dhe pezullime siç janë Doi, Danladi apo Zho Santos. Pra, na duhet të bëjmë disa lëvizje sot dhe të hedhim më të mirët në fushë”, përfundoi Shensoi.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"