Shënon Sadiku, shkëlqejnë Rashica e Shkurtaj, Kukeli shkakton 11-metërsh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2015 | 10:41

Shënon Sadiku, shkëlqejnë Rashica e Shkurtaj, Kukeli shkakton 11-metërsh

sadikuKuqezinjtë janë rikthyer në aksion dhe Armando Sadiku e ka nisur ndeshjen aty ku e përfundoi në Armeni. Pas golit të tretë për kuqezinjtë në Jerevan, sulmuesi shqiptar ka nisur mrekullisht ndeshjen e Zyrihut në transfertë me Thunin. Në minutën e 17-të të takimit, Sadiku ka shënuar për të kaluar në avantazh skuadrën e tij dhe për t’i dhënë shpresa për të rigjetur fitoren.

Megjithatë, goli i shqiptarit ka shërbyer për një sukses për vetëm tetë minuta, pasi përpara përfundimit të fraksionit të parë të lojës, Thun ka shënuar tri herë. Gjimshiti ka nisur nga minuta e parë dhe ka bërë një paraqitje pozitive, ndërkohë që Burim Kukeli është futur nga stoli dhe vetëm një minutë më pas ka shkaktuar 11-metërsh. Takimi ka përfunduar 5-1. Në sfidën tjetër të kampionatit helvet, Bazeli ka mundur 0-2 Sionin. Ka qenë Naser Aliji shqiptari i vetëm që e ka nisur ndeshjen nga minuta e parë. Xhaka ka qenë i pezulluar edhe për këtë takim, ndërkohë që Gashi është aktivizuar në 20 minutat e fundit. Pak shpërthim nga shqiptari. Shumë pak, krahasuar me dy vitet e kaluara.

Sërish Rashica – Në Holandë ka fluturuar edhe një herë tjetër një shqiponjë në fushën e lojës. Milot Rashica ka realizuar golin e pestë të Viteses në triumfin kundër Zvolles. Takimi ka përfunduar 1-5, ndërkohë që shqiptari ka treguar se edhe pse në minutën e 78-të ka bërë shumë metra sprint me topin në këmbë derisa është futur në zonë për të shënuar nga një pozicion i prirët. Festa është legjitime dhe talenti 19- vjeçar ka formuar shqiponjën me duar.

Të tjerët – Elseid Hysaj vijon që të tregojë cilësi. Në përballjen e Napolit me Fiorentinën, mbrojtësi i Kombëtares ka treguar saktësi dhe siguri në krahun e djathtë. Sërish në stol për 90 minuta gardiani i Kombëtares, pasi trajneri Pioli nuk do t’ia dijë se ai vjen nga ndeshje shumë të mira me Shqipërinë. Sa herë që Amir Abrashi është në formë të mirë, Fraiburg shkëlqen. E tillë ka qenë edhe ndeshja e djeshme për mesfushorin shqiptar, që ka mundur me rezultatin 5-2 Grojtherfyrtin ku luan Jurgen Gjasula. Ky i fundit ka asistuar në golin e parë të skuadrës së tij. Vasil Shkurtaj është një tjetër nga legjionarët që ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës. Shqiptari ka shënuar gol në ndeshjen Asteras-Skoda, 1-1 duke i dhënë një pikë ekipit të tij. Ergys Kaçe është aktivizuar disa minuta me PAOK, që ka marrë vetëm një barazim 3-3, ndërkohë që Berbatov ka humbur penallti në të 90-n ku mund të mbyllte takimin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"