Shënon por mendon për mbrojtjen. Rrahmani: Do doja të isha i “ndyrë” si Barzalji

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2021 | 0:18

Shënon por mendon për mbrojtjen. Rrahmani: Do doja të isha i “ndyrë” si Barzalji

Amir Rrahmani ka qenë një ndër protagonistët pozitivë të startit të mirë të këtij sezoni të Napolit. Mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës ka tundur rrjetën në fitoren 4-0 të skuadrës së tij në transfertë ndaj Udinezes, duke treguar se mund të jetë shumë mirë një nga protagonistët kryesorë në qendër të mbrojtjes të skuadrës që tani drejtohet nga Spaleti.

rrahmani

“Në futboll vlen gjithmonë vetëm e tashmja. Duhet të mendosh gjithmonë për ndeshjen pasardhëse. Sot kemi luajtur e fituar, por do të luajmë të enjten dhe duhet të harrojmë edhe këto fitore të bukura. Shohim gjithmonë drejt të ardhmes”, tha ai për “DAZN” pas sfidës.

I ngacmuar se çfarë do të merrte nga ish-futbollisti Andrea Barzalji, një nga intervistuesit për rrjetin në fjalë, Rrahmani u përgjigj me humor. “Pak “ndyrësirë”. Të gjithë mbrojtësit e kanë nga pak, por dikush më shumë e dikush më pak”, theksoi ai ndërsa shtoi se në një ekip si Napoli, që luan në shumë fronte, do të ketë vend për të gjithë.

“Unë kam thënë gjithmonë që në një skuadër si Napoli, duhet të ketë gjithmonë katër mbrojtës të fortë pasi ka shumë ndeshje, luajmë në tre fronte. Është e rëndësishme të jemi të gatshëm kur të hyjmë, mundësia shfaqet gjithmonë:, tha Rrahmani.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"