Shënojnë të gjithë/ Sulmi i Kombëtares bën prova Botërori, buzëqesh trajneri Edi Reja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2021 | 14:09

Shënojnë të gjithë/ Sulmi i Kombëtares bën prova Botërori, buzëqesh trajneri Edi Reja

Kur duhet një muaj nga nisja zyrtare e rrugëtimit për Botërorin “Katar 2022” (Andorra, Anglia dhe San Marino, 3 rivalët e parë), Kombëtarja shqiptare dhe trajneri Edi Reja janë duke marrë lajme pozitive nga legjionarët. Futbollistët kuqezinj janë duke shkëlqyer me skuadrat e tyre.

Sulmuesit e Kombetares

Nëse mbrojtësit vazhdojnë rritjen konstante, këtë herë janë lojtarët e sulmit që ngrohin trajnerin italian dhe gjithë opinionin sportiv. Kjo fundjavë ka konfirmuar 3 prej tyre, të cilët gjetën rrugën e rrjetës dhe rezultuan të rëndësishëm në kampionatet përkatëse. Cikalleshi u shndërrua në “pasha” në Turqi duke udhëhequr Koniasporin në një përmbysje spektakolare në transfertë, ndërsa Myrto Uzuni është abonuar me golin te skuadra e Ferencvaroshit.

Edhe Armando Broja nuk di të ndalet në Holandë me Viteshen. Tre sulmuesve u bashkohet edhe Rei Manaj, i cili në kohët e fundit ka arritur të gjejë vazhdimësinë me Barcelonën B dhe po shënon rregullisht. Ditën e djeshme arriti të realizonte 2 gola të tjerë duke qenë vendimtar në triumfin e katalanasve. Një penallti në minutën e fundit të pjesës së parë dhe një tjetër gol në fillimin e ndeshjes tregojnë se sulmuesi kuqezi është i pandalshëm.

“PASHAI” CIKALLESHI – Dy gola me kokë duke u shndërruar në një “snajper” të vërtetë në zonën e rreptësisë. Sokol Cikalleshi ishte heroi i Koniasporit në një transfertë të vështirë kundër Jeni Malatiasporit. Këta të fundit, në fakt, arritën të shënonin 2 gola të shpejtë në pjesën e parë me ana të Bujyk duke shuar shpresat e Koniasporit për të dalë me pikë nga kjo transfertë.

Por, pjesa e dytë ishte e jashtëzakonshme për skuadrën e Sokol Cikalleshit. Për 4 minuta lojë, sulmuesi kuqezi arriti që të përmbyste ndeshjen. Ishte Diomande fillimisht që shënoi golin e parë, ndërsa Cikalleshi në të 80-ën dhe në të 84-ën tronditi skuadrën kundërshtare. Pas kësaj dopiete, “Cika” numëron 3 gola në kampionatin turk, por ka pasur probleme fizike dhe nuk ka luajtur me vazhdimësi.

UZUNI NUK NDALET – Myrto Uzuni abonohet me golin në kampionatin hungarez. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare është rikthyer (pas një jave pushim) te rruga e rrjetës duke rezultuar vendimtar në fitoren e Ferencvaroshit kundër Honvedit. Në këtë mënyrë ai ka fituar derbin me Naser Alijin, i cili e ndoqi ndeshjen nga stoli. Goditja fluturimthi e Uzunit nga jashtë zone ka qenë e kalibruar mirë dhe u ndal në rrjetë. Për të ishte goli i tetë në kampionatin hungarez, duke qenë i dyti në listën e golashënuesve.

SHËNON BROJA – Edhe Armando Broja është duke kaluar një moment të artë në kampionatin holandez. Sulmuesi kuqezi ka gjetur sërish rrugën e rrjetës, këtë herë në një duel shumë të rëndësishëm ndaj PSV-së.

Broja arriti që të finalizonte një aksion mjaft të bukur të Viteshes, por skuadra e tij humbi 3-1 ndaj ekipit që lufton për titullin kampion në Eredivise. Për shqiptarin ky ka qenë një sezon mjaft i mirë. Ai është huazuar nga skuadra e Çelsit dhe ka arritur të shënojë 8 gola në 23 javët që janë luajtur në kampionatin holandez. Reja është i lumtur, tani ka luks për zgjedhjen e tyre.

GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"