Shënoi supergol ndaj Partizanit, Hebaj: Marrim tri pikët në Laç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2022 | 19:49


Shënoi supergol ndaj Partizanit, Hebaj: Marrim tri pikët në Laç

Në pesë sezonet e fundit ka koinciduar që Teuta ta mbyllë ndaj Laçit, por këtë herë shorti për kalendarin e Kategorisë Superiore e vendosi kundër kurbinasve që në startin e kampionatit. Të dielën në orën 17:00, skuadra e drejtuar nga Renato Arapi, do të luajë në transfertë me bardhezinjtë një ndeshje shumë të vështirë.

RUBIN HEBAJ

Të dyja skuadrat kanë ndryshuar thuajse 50% përbërjet e tyre. Për sulmuesin Rubin Hebaj, i cili në 20 ndeshje me fanellën e “djemve të detit” në kampionatin e fundit arriti të shënojë 10 gola, përballja me Laçin do të tregojë forcën reale të Teutës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, shkodrani i sulmit durrsak, beson te një nisje e mbarë. Në ndeshjen e fundit në Superiore që ai ka shënuar, ka qenë pikërisht në portën e Laçit në fitoren 2-1 të Teutës më 21 maj. Sipas tij, nuk duhet marrë si barometër miqësorja e fundit ndaj Partizanit, ku 24-vjeçari realizoi një supergol dhe më pas të kuqtë përmbysën shifrat në 1-2.

Rubin, e nisni kampionatin ndaj Laçit të dielën. A është gati Teuta?
Po, sigurisht. Mendoj se ekipi është në një gjendje optimale dhe sigurisht që nga ana psikologjike jemi shumë mirë. Ndeshja vjen pas një periudhe të gjatë pushimi dhe do të bëjmë gjithçka për të përballuar kundërshtarin, duke e nisur sa më mirë sezonin.

Si e shini Laçin, që ashtu si Teuta, ka bërë shumë ndryshime?
Jemi të vetëdijshëm që është një skuadër që ka bërë mirë dhe mbi të gjitha e fortë në fushën e vetë. Laçi ka disa elementë të rëndësishëm, por në kemi objektivat tanë dhe do të synojmë më të mirën.

Ka pasur shumë largime nga skuadra, besoni se ky grup lojtarësh mund të bëjë më mirë se sezoni i kaluar?
Normalisht janë bërë disa ndryshime, por do të shikohet të dielën se deri ku jemi. Teuta e kampionatit të kaluar ishte shumë mirë në pjesën e dytë të sezonit. Në futboll ka situata që të ulin entuziazmin, por ne do të shikojmë përpara. Edhe në miqësoren e fundit me Partizanin, në45 minutat e para ishim të vendosur mirë në fushë dhe agresivë. E rëndësishme është ta nisim mirë kampionatin, pasi kjo do të na japë një moral tjetër për vazhdimësinë.

Një pikë në transfertën kurbinase do t’ju kënaqte?
Ne do të luajmë për rezultat pozitiv. Kundërshtari ka bërë disa ndryshime dhe normalisht pres të jetë një ndeshje e fortë. Avantazhet dhe disavantazhet me sskuadrave do të shihen në fushë, por mendoj se do të jemi si të barabartë. Një ide për lojën e Laçit e kemi, por rëndësi ka që ne të bëjmë në fushë atë që punojmë në stërvitje.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL