Shënoi për 60 sekonda, sulmuesi Zogaj bën dedikimin prekës për golin e parë: Ju tregoj sekretin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2019 | 10:03

Shënoi për 60 sekonda, sulmuesi Zogaj bën dedikimin prekës për golin e parë: Ju tregoj sekretin!

Futbollistët kanë njerëz që i mbështesin, të tjerë prej të cilëve frymëzohen dhe të tjerët me të cilët kanë pengje të parealizuara.

silvio zogaj

I riu Silvio Zogaj dje ka bërë realitet një prej momenteve të mbetura peng në memorien e tij. Djaloshi ia doli që të linte gjurmë në rezultatin ndaj Skënderbeut vetëm 60 sekonda pasi ishte aktivizuar në lojë. Në komentin e tij pas ndeshjes, sulmuesi tregon emocionet dhe dedikimin e veçantë.

60 SEKONDA – “Ishte diçka e bukur që në momentin e parë teksa sapo kisha hyrë në fushë, shënova. Ishte një veprim që unë e kisha bërë disa herë në stërvitje, por kësaj radhe fatmirësisht e bëra edhe në ndeshje zyrtare”.

SKEMA – “Normalisht që pas disa takimesh që nuk po shënonim, tekniku vendosi që të ndryshonte dhe rezultoi pozitive për skuadrën. Konkurrenca është diçka pozitive që të bën që të shkosh përpara. Fatmirësisht, teksa shënuam të dy ne nga stoli, tregon edhe faktin se ekipi ka shumë opsione”.

FITORJA – “Ekipi ka zhvilluar një ndeshje shumë të mirë. Kjo fitore ndaj një skuadre si Skënderbeu dhe për më tepër me goleadë duhet të na lehtësojë së tepërmi”.

GOLI I PARË – “Normalisht që një gol i shënuar të jep më shumë besim në vetvete. Golin tim të parë si lojtar profesionist kam menduar gjithmonë që t’ia dedikoj një personi që ka besuar se unë do të bëhesha futbollist profesionist. Ky njeri ka qenë gjyshi im, tashmë i ndjerë. Nëse ai do të ishte gjallë, do të ishte ndier krenar për këtë moment. Ai nuk arriti që ta shihte në këtë jetë, por unë do të doja që ky gol të shkojë si dedikim vetëm për të. Ia dedikoj atij, si personi i vetëm që më mbështeti në rrugën time për t’u bërë futbollist”, ka deklaruar lezhjani 22-vjeçar, Silvio Zogaj.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"