Shënoi pas 3 vjetësh, Sterling: Kisha shumë presion, vuaja për një gol

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2018 | 17:21

Shënoi pas 3 vjetësh, Sterling: Kisha shumë presion, vuaja për një gol

Rahim Sterling gjeti golin e parë pas 3 vitesh. Nuk shënonte me Anglinë që nga tetori i vitit 2015 kundër Estonisë. Pas 1102 ditësh ia doli që të gjente rrjetën me fanellën e kombëtares, madje të shënonte dy herë dhe të ndihmonte ekipin që të merrte një fitore të rëndësishme në Spanjë. Kjo ishte hera e parë që ai shënonte dopietë me kombëtaren. “Ishte një mbrëmje magjike, spektakolare.

Lojtarët patën besim se mund të merrnin një rezultat pozitiv dhe të gjithë ia dolëm. Luajtëm mirë ndaj një skuadre shumë të fortë. Vijmë pas një Botërori pozitiv, ku mund të kishim bërë më mirë. Por jemi në drejtimin e duhur dhe po rritemi nga ndeshja në ndeshje. Luajtëm hapur në fillim dhe ishim ‘vrastarë’ në rastet që patëm. I finalizuam siç duhet rastet që na duheshin”, tha fillimisht sulmuesi i Sitit.

rahim sterling

Më tej, ai foli edhe për mungesën e golit për një kohë të gjatë. “Nuk kisha shënuar për një kohë të gjatë me Anglinë dhe isha i mërzitur. Kisha shumë presion gjatë kësaj kohe dhe prandaj festova si i çmendur. Ishte një ndjenjë e bukur. Unë jam sulmues dhe detyra ime është të shënoj gola. Kjo do të thotë shumë për mua. Tri vite ishin shumë. Nuk ka gjë më të bukur sesa të shënosh me fanellën e Anglisë. Treguam se kishim forcë dhe energji”, vazhdoi më tej heroi i “Tre Luanëve”.

PIKFORD- Edhe portieri i Anglisë e vlerësoi ndeshjen që bëri ekipi i tij. “Luajtëm shumë mirë dhe me sakrificë morëm një fitore të madhe. Treguam karakterin tonë. Unë e shijova shumë ndeshjen dhe sidomos pjesën e parë ku zhvilluam disa aksione spektakolare. Penalltia? Unë nuk u dorëzova dhe largova topin. Arbitri vendosi që ishte ndërhyrje e rregullt dhe mendoj që ishte vendim i drejtë”, ka thënë portieri i Anglisë, i cili dha kontribut në fitoren kundër iberikëve.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"