Shënoi nga mesi i fushës, rrëfehet mesfushori Shkreta: Ishte një gol magjik, më frymëzon Shnajder

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2020 | 14:50

Shënoi nga mesi i fushës, rrëfehet mesfushori Shkreta: Ishte një gol magjik, më frymëzon Shnajder

Një goditje mjeshtërorë me të djathtën nga mesi i fushës dhe gol. Mjaftoi ajo kryevepër e fiksuar nga kamera, që gjithkush të kthente vështrimin nga Kategoria e Dytë. Ajo video që bëri xhiron e rrjetit, kishte për protagonist Selman Shkretën.

Shkreta

Pakkush mund ta njohë 25-vjeçarin nga Vaqarri, i cili i dhuroi atë pikë të artë Bulqizës kundër Gramshit për llogari të javës së 4-t. E megjithatë, mendon vetë mesfushori që të zbulojë veten në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”. Ka realizuar dhjetëra gola nga distanca kur luante me Shkëndijën në nisje të karrierës, por këtë të fundit e quan magjik.

Kush është Selman Shkreta? Na zbuloni diçka më shumë për veten?

Futbolli për mua është jetë, megjithatë e nisa këtë rrugëtim prej dëshirës së madhe që kishte im atë. Sapo mbusha 9 vjeç, familja ime, e veçanërisht babai, u bënë një shtysë e madhe që unë të nisja këtë profesion.

Një e djathtë perfekte nga mesi i fushës dhe gol. E mendoi Shkreta që ajo gjuajtje do të shkonte në rrjetë?

Jam i lumtur që munda të realizoj një gol të tillë. Të jem i sinqertë, atë goditje e kisha projektuar për në portë. Por, që do të shkonte në atë mënyrë në rrjetë, s’e prisja. Është një gol që nuk do ta harroj kurrë. Një gol që lë mbresa të pazëvendësueshme.

Është e para herë që shënoni një gol të tillë apo…?

E kam kërkuar prej disa vitesh këtë gol. Por, që do të bëhej viral, as e kisha imagjinuar. Kam shënuar gjithnjë në gjuajtjet standarde apo në ecje, po si ky jo. Ky ishte i veçantë nga mënyra e ekzekutimit. Mund ta konsideroj si magjik. Më fali pa fund emocione.

Si keni përfunduar te Bulqiza, pasi më herët keni qenë pjesë e Turbinës…?

Futbolli është i veçantë, brenda tij është dhe fati. Prej dy vitesh kam qenë pjesë e Turbinës. Dhe, them se dhashë më të mirën time në atë ekip. Tani jam pjesë e Bulqizës dhe ndihem i vlerësuar këtu. Këtu më duan dhe më vlerësojnë shumë.

Çfarë pretendimesh ka Bulqiza?

Pretendimet e Bulqizës janë të zhvillojë ndeshje sa më të bukura në kampionat. Jemi debutues në Kategorinë e Dytë, por në përbërje ka futbollistë me eksperiencë. Kam besimin se do të ecim mirë këtë sezon.

Synimet e Shkretës?

Për Shkretën, ky gol është dritë në fund të tunelit. Shpresoj shumë që do të vlejë edhe për të ardhmen time. Isha pak pesimist se prej vitesh pretendoja për më shumë dhe shpresat po më shuheshin, por ja vjen momenti dhe Zoti mendoi për të më ringjallur optimizmin. Sakrificat e mia ndër vite nuk shkuan dëm. Ndoshta ky gol do të më japë më shumë impuls për të ardhmen.

Është e lehtë të luash në Kategorinë e Dytë?

Mendoj që gjithçka ka ndryshuar, nuk e kam fjalën për agresivitetin. Në çdo stadium, mund të them se luhet futboll. Nuk ndihet faktori fushë dhe as nuk ka presion. Çdo gjë është e qetë dhe “Fair Play”.

A ju vjen keq që vëmendja është e paktë për lojtarët e së Dytës, që kanë luksin të shfaqen?

Mendoj që edhe në këtë kategori ka futbollistë cilësorë, që mund të luajnë në nivele më të larta.

Cili është lojtari që ju frymëzon?

Këtu jam shumë i pavendosur. Ka disa që i ndjek me një dëshirë të madhe. Uesli Shnajder, për shembull, më frymëzon. Ai më ka rritur dëshirën që marr nga veprimet e tij. Është një lojtar i fortë, që shfrytëzon trurin në mesfushë.

Dhe për ta mbyllur, kujt ia dedikoni këtë gol?

Këtë gol ia dedikoj familjes, miqve dhe kryebashkiakut të Bulqizës që na mbështet gjithnjë. Ai e ndoqi atë ndeshje dhe më përqafoi, duke më uruar suksese. Nuk mund të harroj as drejtuesit dhe stafin teknik, duke nisur nga administratori Topi dhe trajnerin Çekiçi me dy zëvendësit e tij. Në fund, por jo për nga rëndësia, ky gol shkon dhe për trajnerin që më formoi mua si futbollist, Luan Pinari.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPOR.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"