Shënoi në debutim me fanellën e Egnatias, flet Telushi: Goli për ata që besojnë tek unë, e ndalim Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2021 | 18:30

Shënoi në debutim me fanellën e Egnatias, flet Telushi: Goli për ata që besojnë tek unë, e ndalim Tiranën

Mesfushori Bruno Telushi e nisi me gol përvojën e tij të parë zyrtare tek Egnatia. Duke qenë se u bashkëngjit më vonë se të tjerët me skuadrën, përballë Kukësit vlonjati e nisi lojën nga stoli. Por në nisjen e pjesës së dytë zbriti në fushë si një forcë më shumë dhe nuk zhgënjeu. Iu nevojitën pak minuta që të përshtatej me lojën e shokëve dhe pas shumë rastesh arriti të shënonte një eurogol. Pavarësisht se në fund shërbeu për statistikë, mjaftoi që Telushi ta niste mbarë, por pa ia dalë të shmangë atë humbje të pamerituar. Kur java e parë u arkivua, në kampin rrogozhinas po mendohet vetëm për transfertën e fundjavës me Tiranën. Rrogozhinasit po përgatiten me ritëm të lartë nën drejtimin e trajnerit Magani e stafit të tij me një program të plotë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori Bruno Telushi u shpreh me superlativa për aspektin personal dhe ecurinë e Egnatias.

bruno telushi

Si u ndiet që e nisët me gol debutimin tek Egnatia?

Për çdo futbollist është një dëshirë e madhe që ta nisë me gol kampionatin e ri. Nuk e kisha menduar se menjëherë pasi zbrita në fushë, do të kisha rdhe unë rastin për të shënuar. Mendoj se kisha edhe pak fat në momentin e goditjes. Të tilla momente kanë nevojë për të mos u menduar shumë. E rëndësishme është që përfundoi aty ku portieri nuk kishte shumë mundësi reagimi. Do ishte mirë që të siguronim diçka më shumë ndaj Kukësit, qoftë edhe një pikë. Ishte përballja e parë dhe ajo humbje ishte e pamerituar. Tashmë gjithçka u arkivua e duhet të përqendrohemi te sfida e radhës.

Keni ndonjë dedikim special për rrjetën e parë sezonale?

Dedikimet kanë një vend të veçantë si kur shënon vetë dhe kur jep asist. Rëndësi ka që gjeta rrugën e rrjetës, të tjerat mund të përmirësohen në vijim. Këtë gol të parë dua t’ia dedikoj familjes sime që më mbështet në çdo moment, presidentit e drejtuesve, shokëve si dhe trajnerëve që më dhanë një mundësi për të debutuar zyrtarisht me fanellën e Egnatias.

Premtoni gola të tjerë në vazhdim në javët e tjera me kundërshtarët që do të luani?

Gjithmonë kudo që kam luajtur detaj kryesor ka qenë t’i shërbej skuadrës çdo herë. S’më pëlqen që të premtoj shumë, vetëm se do të flas në fushë. Mjafton që edhe skuadra të jetë në formë të mirë dhe të arrijë çdo objektiv. Të gjitha rastet që do më paraqiten do t’i vlerësoj pa masë. Jemi së bashku për një qëllim që të renditemi sa më lart. Përparësi ka paraqitja e mirë dhe me pak optimizëm çdo gjë shkon mbarë.

Si e shihni Tiranën si kundërshtar të radhës që do ta keni përballë në fundjavë? 

Ne do të bëjmë lojën tonë më të mirë. Jo vetëm Tirana, po çdo klub bën llogaritë e veta në të gjitha javët. Është një transfertë e vështirë, po jo e pa kalueshme. Terreni i stadiumit atje të krijon mundësi që të tregojmë cilësitë e vlerat më të mira që kemi. Që nga minuta e parë dhe deri tek e fundit duhet të mendojmë që të mos dalim duarbosh. Skuadra që kemi ka plot lojtarë që kanë luajtur në nivele të larta dhe janë motivim për ecurinë.

Mendoni se pas humbjes me Kukësin do të nisë kthesa e rezultateve për Egnatian?

Humbja me Kukësin, siç e thashë dhe më lart, ishte e pamerituar. Duhet të na shërbejë si mësim që gabimet të jenë sa më të pakta. Pse jo, të jemi sa më të saktë dhe të bëjmë gjithçka që çdo pikë apo të plota t’i sigurojmë radhazi. Grupi ynë është plotësuar me pak vonesa ashtu siç erdha dhe unë. Harmonizimi midis nesh thuajse po arrihet e javët e tjera me pak besim në vetvete do të kalojmë te rezultatet pozitive pa dyshim. Shanset i kemi në anën tonë vetëm të jemi të vëmendshëm në çdo kohë.

Ndiheni komod në rolin si mesfushor qendre apo në një rol tjetër?

Jam i gatshëm të zbres në fushë sa herë të më kërkohet. Respektoj çdo vendim të stafit, pasi jam një lojtar profesionist. Vetëm me stërvitje korrekte shpresoj që të ruaj formën e mirë. Uroj që të jap më të mirën e nuk ka rëndësi se luaj nga fillimi apo e nis nga stoli. Tek Egnatia do ta shlyej këtë respekt e besim që më është dhënë nga drejtuesit e lartë.

Roli?

Luaj kudo në mesfushë që kam pozicionin tim, po edhe diku tjetër nëse është e nevojshme, për t’i shërbyer skuadrës në mënyrën më të mirë.

Tifozët rrogozhinas festuan disa minuta kur shënuat, pasi ata gola rrallë shikohen nga mënyra e ekzekutimit?

I falënderoj për mbështetjen dhe ju bëj me dije se dhe ata janë motivim për ne në fushë. Tifozët duhet t’i respektojmë pasi gjejnë kohën që të jenë patjetër prezentë në stadium. Do të jetë diçka e bukur që të festojnë në shumë raste gjatë gjithë sezonit e të shohin Egnatian e vërtetë për të mos u zhgënjyer asnjëherë. Janë të mrekullueshëm, kam mbetur i befasuar, pasi jetojnë me futbollin.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"