Shënoi ndaj Senegalit, çlirohet Kejn: Me Francën do të jetë një betejë e fortë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2022 | 8:56

Shënoi ndaj Senegalit, çlirohet Kejn: Me Francën do të jetë një betejë e fortë!

Pas tri asisteve, i duhej goli i parë në këtë Botëror për t’u çliruar për ndeshjet e ardhshme. Dhe Herri Kejn e gjeti, duke shkuar i qetë në sfidën çerekfinale të shtunën kundër Francës.

KEJN

“Ishte me të vërtetë e vështirë kundër Senegalit. Ndeshjet me eliminim direkt nuk janë kurrë të lehta. Por ne kemi treguar pjekuri të madhe gjatë gjithë turneut. Mentaliteti ishte fantastik që prej nisjes së ndeshjes dhe shënuam tre gola të bukur.

Kemi tri ndeshje radhazi në të cilat nuk pësojmë gol dhe kjo është gjithashtu shumë e rëndësishme për ne”, ishin fjalët e para të sulmuesit 29- vjeçar për “ITV”, i cili tashmë e sheh veten vetëm një gol larg rekordit të Uejn Runit, shënuesit më të mirë të historisë së kombëtares.

“Te goli kisha shumë kohë. Topi erdhi shumë bukur. Koordinimi ishte perfekt. Unë nuk isha i shqetësuar, e dija që do të vinte. Por jam edhe një sulmues dhe sa herë shënoj jam i lumtur”, tha fituesi i “Këpucës së Artë” në turneun e katër viteve më parë në Rusi.

Por që ai ta fitojë sërish trofeun e golashënuesit më të mirë në Katar duket se do të jetë e vështirë. Sepse përpara ka Kilië Mbapenë, rivalin që do të ketë përballë në çerekfinale të shtunën dhe që e ka tundur rrjetën pesë herë deri tani në këtë Botëror.

Kejn e pranon se Franca do të jetë një rivale shumë e vështirë për ta eliminuar, por ai ka besim te forca e kësaj Anglie dhe pjekuria.

“Ne kemi një kombinim të shkëlqyer të talenteve të reja dhe eksperiencës tani. Arritëm një tjetër fitore në ndeshjet me eliminim direkt, të cilat nuk kanë qenë kurrë të lehta për Anglinë.

Ne do ta shijojmë këtë fitore, por pastaj fokusi do të jetë i gjithi te ndeshja kundër Francës.

Do të jetë me të vërtetë një betejë e fortë. Por e tillë ishte edhe kjo ndeshje. Mendoj se ishte shumë e fortë. Nuk ka ndeshje të lehta pas fazës së grupeve dhe ne treguam maturi të vërtetë.

Ndihemi mirë. Kemi futbollistë të mirë në sulm dhe po dukemi solidë edhe në mbrojtje me këto tri ndeshje pa pësuar. Është me të vërtetë një ditë e bukur për ne”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"