Shënoi golin vendimtar të përmbysjes ndaj Partizanit, Çoba: Fitore që na jep besim, Vllaznia s’duhet të ndalet më

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2023 | 21:15

Shënoi golin vendimtar të përmbysjes ndaj Partizanit, Çoba: Fitore që na jep besim, Vllaznia s’duhet të ndalet më

Mehdi Çoba nuk ka arritur të shënojë shpesh në këto dy sezone në ekipin e parë të Vllaznisë, por ka ditur të realizojë gola vendimtarë, siç ndodhi edhe dje ndaj Partizanit, ku sulmuesi tundi rrjetën në minutën e 90-të dhe i dha Vllaznisë një fitore të çmuar me përmbysje me shifrat 1-2, pas një ndeshjeje mjaft të luftuar.

coba goli

22-vjeçari foli për “Panorama Sport”, ku tregoi emocionet e para pas fitores së shkodranëve në stadiumin “Partizani”.

Shënuat një gol të rëndësishëm. Sa i kënaqur jeni për këtë dhe për faktin që Vllaznia tashmë është më pranë dy kryesuesve?

Jam shumë i kënaqur për golin që shënova, por më shumë më gëzon fitorja jonë, sepse afrohemi më shumë me kreun. Shpresoj që të na shkojë akoma më mbarë në ndeshjet në vijim.

Këtë sezon pritej të kishit më shumë hapësira, por nuk po ndodh kështu. Do të donit të ishte një situatë më ndryshe?

Unë stërvitem çdo ditë për marrë më të mirën, në fund vendos trajneri, por unë jam gati në çdo moment për të ndihmuar ekipin, siç ndodhi edhe ditën e sotme.

Sa të vështirë ua bëri Partizani këtë ndeshje?

Në pjesën e parë na shkoi mjaft mirë. I dominuam dhe strategjia jonë u zhvillua siç e kishim parashikuar. Na mungoi vetëm goli. Më pas në fillim të pjesës së dytë gjërat ndryshuan dhe u ndërlikuan diçka. Ata mundën të shënonin dhe na rrezikuan sërish. Pastaj e morëm lojën nën menaxhimin tonë dhe mundëm t’ia kthejmë rezultatin.

Mund të themi se Vllaznia ndihet më e qetë tashmë pas dy fitoreve radhazi të arritura në Superiore?

Po, dy fitore radhazi na japin më shumë siguri dhe besim për të vazhduar më tej dhe shpresoj që të vazhdojmë në të njëjtën rrugë dhe të afrohemi sa më shumë me kreun, për të tentuar më pas t’i parakalojmë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"