Shënoi golin e parë në Superiore, mbrojtësi i Laçit: Fitoren e gjejmë me Kamzën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2018 | 17:07

Shënoi golin e parë në Superiore, mbrojtësi i Laçit: Fitoren e gjejmë me Kamzën

Mbrojtësi shkodran, Abdurraman Fangaj, u bë “shpëtimtar” i Laçit në përballjen e së dielës me Kastriotin. Në limitet e takimit, 20- vjeçari arriti të shënojë golin e barazimit, i cili i shpëtoi kurbinasit nga humbja. Në prononcimin e tij për gazetën “Panorama Sport”, Fangaj shprehet i lumtur për golin, por nga ana tjetër, thekson se nga ndeshja me Kastriotin, skuadra mund të kishte marrë edhe më tepër.

fangaj

“Jam i kënaqur që shënova golin e parë në Kategorinë Superiore dhe që falë atij goli evituam humbjen. Nga ana tjetër, jam edhe pak i mërzitur, pasi lamë dy pikë në ndeshjen ndaj Kastriotit, ku i kishim të gjitha mundësitë për ta fituar”, theksoi fillimisht shkodrani, i cili luan sezonin e katërt në Superiore, teksa ka debutuar te Tërbuni në vitin 2016, e më pas është bërë pjesë e skuadrës kurbinase.

VAZHDIMËSIA

Mbrojtësi që ka fituar një vend si titullar te Laçi që në sezonin e kaluar, thotë për gazetën se barazimi i fundit duhet të shërbejë si mësim për vazhdimësinë e skuadrës në kampionat. “Kjo ndeshje duhet të na shërbejë si mësim për ndeshjet e tjera, sepse nuk duhet të neglizhojmë për asnjë minutë. Në ndeshjen e radhës, të cilën do ta luajmë sërish në transfertë ndaj Kamzës, do të bëjmë maksimumin që të rikthehemi me çdo kusht te fitorja”, përfundoi Fangaj. Laçi e ka nisur këtë sezon me një seri rezultatesh pozitive, ku në pesë javë ka arritur të grumbullojë 7 pikë, një fitore dhe katër barazime. Të vetmen fitore e kanë arritur në kohën shtesë ndaj Luftëtarit. Pathyeshmërinë do ta kërkojnë edhe në transfertën e radhës ndaj Kamzës, takim që do të luhet të shtunën në orën 15:45.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"