Shënoi golin e fitores në Pogradec, sulmuesi nigerian i Tomorit: Nuk ndalem më!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2018 | 18:10

Shënoi golin e fitores në Pogradec, sulmuesi nigerian i Tomorit: Nuk ndalem më!

Kingsley Ogbodike ka filluar të tregojë aftësitë e tij te skuadra e Tomorit që në javën e dytë të kampionatit, ku përveç lojës së mrekullueshme, nigeriani ka arritur të gjejë edhe golin e parë me fanellën e kësaj skuadre. Ai ka qenë një nga protagonistët absolutë të ndeshjes kundër Pogradecit në transfertë, të cilën ekipi beratas e fitoi minimalisht 1-0. Sulmuesi 19-vjeçar u ka dhënë një trepikësh mjaft të vyer beratasve, duke i udhëhequr ata drejt kreut të klasifikimit në një garë tepër të ashpër për një biletë në Kategorinë Superiore.

tomori

OGBODIKE

Në një prononcim për “Panorama Sport”, futbollisti Kingsley u shpreh i lumtur për atë që tregoi në Pogradec, por nga ana tjetër tha se duhet të punojë ende për t’u dhënë volum golave. “Ai triumf ishte një fillim i mirë për mua dhe për ekipin. Ndihem mirë dhe jam shumë i lumtur për golin që shënova, pasi është i pari me fanellën e Tomorit dhe shpresoj që mos të ndalem. Gjithçka nuk mund të ndodhte pa ndihmën e shokëve të skuadrës dhe trajnerit, të cilët më ndihmuan jashtëzakonisht.

Tanimë duhet të punoj fort, në mënyrë që të përmirësohem ndjeshëm dhe të jap sa më shumë gola në favor skuadrës”, u shpreh fillimisht Kingsley. Ai ka folur edhe në lidhje me ndeshjen përballë Besës, duke e cilësuar një kundërshtar të rrezikshëm.

“Besa është një kundërshtar i rrezikshëm dhe duhet të bëjmë kujdes. Nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, por as e pamundur. Unë kam besim se me pak vështirësi do t’ia dalim, duke grumbulluar suksesin e radhës në pozitat tona në klasifikim. Kemi një grup të mirë futbollistësh dhe ky ekip e meriton pa diskutim që t’i shtohet listës së skuadrave elitare. Gara është e fortë, por me pak kujdes dhe përqendrim do ta mposhtim rivalitetin. Gjithçka duhet të fillojë ndaj Besës, pasi ata kanë të njëjtat objektiva ashtu sikurse ne”, tha ndër të tjera Kingsley. Sakaq, futbollisti 19-vjeçar nuk la pa komentuar edhe largimin e trajnerit Gersi Arbri, teksa u shpreh se e falënderon për suportin e dhënë. “Largimi i trajnerit Gersi Arbri ishte i papritur. Unë e falënderoj shumë për suportin që më ka dhënë dhe gjithçka do t’ia shpërblej në fushën e lojës”.

Eris Sylyku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"