Shënoi golin e fitores ndaj Vllaznisë, Janku: M’u prenë gjunjët kur pashë anësorin…

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Nëntor 5, 2019 | 17:07

Bylis Kategoria Superiore Të fundit

Shënoi golin e fitores ndaj Vllaznisë, Janku: M’u prenë gjunjët kur pashë anësorin…

Stivian Janku ishte heroi i Bylisit në ndeshjen e djeshme në Shkodër. Mbrojtësi me origjinë nga Delvina luan sezonin e tij të dytë në Kategorinë Superiore. Pasi nuk mundi të debutonte në elitë si pjesë e Partizanit, e bëri këtë me Luftëtarin e Hasan Likës, duke shkuar dy sezone më parë në Europë.

Bylis

Dje i dha fitoren Bylisit, në një ndeshje ku e nisi titullar dhe justifikoi gjithçka me paraqitjen e tij. Në bisedën për “Panorama Sport”, 22-vjeçari ka treguar ndjesinë kur anësori anuloi golin dhe më pas kryesori e akordoi.

“Ishte një ndeshje ku duhej të jepnim maksimumin, sepse kishim edhe shumë mungesa. E nisëm mirë lojën. Ishim mjaft të mobilizuar dhe morëm frenat e lojës në dorë, duke arritur edhe te goli. Natyrisht që jam shumë i gëzuar që i dhashë tri pikët skuadrës, por mendoj se kemi bërë shumë mirë të gjithë si skuadër.

Unë e kisha parandjenjë që do të shënoja, sepse në Ballsh, për fat të mirë, jemi tre mbrojtës qendre, të cilët dalim dhe kërkojmë të gjuajmë me kokë në çdo goditje standarde. Unë pashë që kur Murataj e goditi topin dhe aty lëvizja me shpresën se do të dilja para portës duke shënuar.

U gëzova shumë, sigurisht, por kur pashë anësorin që e anuloi, m’u prenë gjunjët fare. U ndjeva shumë keq. Por, më pas u gëzova kur goli u cilësua i rregullt, sepse lojtari i Vllaznisë e preku i fundit topin”, deklaroi Janku. I pyetur nëse e ndien veten titullar te Bylisi, mbrojtësi shtoi: “Jam i kënaqur, sepse me dy mbrojtës me eksperiencë ndihem edhe unë komod. Normalisht që dua të luaj dhe të jap maksimumin me Bylisin, sepse unë kam lidhje të hershme familjare me skuadrën dhe qytetin e Ballshit”.

PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com