Shënoi golin e fitores, Granit Xhaka pret biletën e Arsenalit: Jemi shumë të rrezikshëm!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2022 | 14:29

Shënoi golin e fitores, Granit Xhaka pret biletën e Arsenalit: Jemi shumë të rrezikshëm!

Granit Xhaka shënoi një gol spektakolar për ta afruar Arsenalin më pranë 1/8-ave të Ligës së Europës falë një fitoreje 1-0 ndaj rivalëve të PSV Eindhovenit në “Emirates”.

GRANIT XHAKA 1

Rezultati i mundësoi skuadrës së Mikel Artetës të shkojë +5 nga holandezët në krye të Grupit A, duke ruajtur rekordin perfekt të katër fitoreve në po kaq ndeshje.

Ishte triumfi i 8-të radhazi i skuadrës angleze në të gjitha kompeticionet. Arsenal-PSV ishte planifikuar për t’u luajtur më 15 shtator, por u shty për shkak të vdekjes së Mbretëreshës Elisabeta II.

Gabriel Zhezus dhe Bukajo Saka patën shanset më të mira për londinezët, por paraqitja pozitive e portierit argjentinas, Valter Benitez, bllokoi tentativat e “Topçinjve”, duke ua vështirësuar mbrëmjen.

Megjithatë, ishte kapiteni i Zvicrës Granit Xhaka, i cili po bën një sezon fantastik, ai që me një kthesë me të djathtën në minutën e 71-të, theu rezistencën e skuadrës së Rud van Nistelroit.

Arsenalit i duhet vetëm një pikë në ndeshjen e kthimit në Holandë pas një jave për të konfirmuar kualifikimin direkt në fazën e 1/8-ave, sepse vendi i dytë shkon në “play off” me ekipet që do të zbresin nga Champions-i.

XHAKA – “Ne patëm shans pas shansi dhe nuk patëm fatin të shënonim më herët. Por kishim pasionin për ta mbajtur topin, vazhduam të krijonim raste dhe mendoj se merituam të fitonim.

Në pjesën e parë ushtruam shumë presion. PSV-ja është shumë e rrezikshme dhe ne e dinim që ata ishin kërcënues në kundërsulm. Por ne luajtëm shkëlqyeshëm”, tha lojtari më i mirë i Arsenalit.

“Jam shumë i lumtur që shënova. Nuk më kujtohet kur kam shënuar për herë të fundit me këmbën e djathtë, por jam shumë i gëzuar. Nuk ka rëndësi kush shënon. Kjo na jep besim për ndeshjen e radhës.

Kur fiton ti je i lumtur. Gjithçka po shkon mirë për momentin për ne, por nuk është surprizë. Po punojmë shumë. Ne fitojmë dhe humbasim si skuadër dhe jemi shumë të rrezikshëm. Donim të kualifikoheshim dhe jemi të kënaqur”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"