Shënoi dy gola për dy minuta, sulmuesi i Apolonisë: Më kënaqin vetëm fitoret

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2023 | 23:37

Shënoi dy gola për dy minuta, sulmuesi i Apolonisë: Më kënaqin vetëm fitoret

Apolonia është rikthyer shpejt e bindshëm te fitorja. Fierakët mundën Besëlidhjen, duke arkivuar një trepikësh të artë për garën e ethshme në zonën “play off”. Sado që kishin përballë lezhjanët e rënë, skuadra nuk i la asgjë rastësisë.

umejiego

Shënoi tre gola për 39 minuta, duke mos e diskutuar suksesin. Protagonist ishte Antoni Umejiego, i cili realizoi një dygolësh brenda dy minutash. Sulmuesi është i lumtur që ka shkuar në kuotën e 9 golave, por më shumë do të jetë nëse skuadra arrin misionin.

Apolonisë iu rikthye buzëqeshja. I kënaqur me fitoren ndaj Besëlidhjes?

Sigurisht që fitorja të kënaq.  Rikthimi tek ajo është gjithmonë ndryshe. Tjetër ndjesi, tjetër emocion, veçanërisht në Fier. Kishim nevojë për pikë, pavarësisht se vinim nga një barazim i vështirë në Berat. Tri pikët e marra ndaj Besëlidhës janë të mjaftueshme për të vijuar luftën tonë për një vend të sigurt në zonën “play off”. Po bindim në lojë, pa harruar triumfin e padiskutueshëm dhe më kryesorja nuk u ndahemi kundërshtarëve më të afërt.

Fitorja u hipotekua që në pjesën e parë. Mund të themi që e “vratë” ndeshjen, veçanërisht pjesën e saj të dytë?

Për ne kishte rëndësi goli i shpejtë, e dëshironim me ngulm që të ishim më të qetë. Minutat e para i dominuan tërësisht, krijuam shumë raste, aq sa goli i epërsisë erdhi vetëm në minutën e 24-t.

Përpos avantazhit, nuk u mjaftuam me aq duke ditur që fitorja duhej siguruar bindshëm që në pjesën e parë. Vijuam me sulmet tona, derisa gjetëm edhe dy herë rrugën e rrjetës, vetëm e vetëm për ta lehtësuar disi punën tonë në pjesën e dytë. Kjo e fundit rezultoi formalitet për ne, vetë avantazhi i trefishtë na e lejonte këtë gjë, më saktë uljen e ritmit të lojës.

Gjetët dy herë rrugën e rrjetës dhe tani jeni në kuotën e 9 golave. I kënaqur?

Më së shumti i gëzohem fitores së Apolonisë. Po nuk mund ta mohoj dot që çdo gol i shënuar, ka vlerë e rëndësi të veçantë për mua. Ndihem shumë mirë këtu, sepse po më shpërblehet puna e përditshme. Ditaditës po përmirësohem, në fakt kjo është detyra ime, çuarja e Apolonisë drejt objektivit sezonal. E lehtë nuk është aspak, por as e pamundur, duke ditur që jemi në rrugën e duhur. Gjithçka është në dorën tonë.

Kundërshtari i radhës është Luzi, një rival direkt për zonën “play off”. Do ta kaloni?

Jemi në një moment të vështirë, ku duhet të luftojmë fort që të marrim tri pikët. Do të duhet që gjithmonë të japim maksimumin, duke kërkuar gjithmonë përsosmërinë. Kjo është një ndeshje e rëndësishme ndaj një skuadre, që, sipas klasifikimit, e meriton të jetë aty ku është. Duhet të bëjmë një ndeshje shumë të mirë që në fund të dalim ne fitimtarë.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"