Shënkolli vihet përballë Tiranës, Smajli: Privilegj të përballesh me superfuqinë e futbollit shqiptar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2019 | 13:32

Shënkolli vihet përballë Tiranës, Smajli: Privilegj të përballesh me superfuqinë e futbollit shqiptar

Lezhjanët e Shënkollit të mërkurën presin në shtëpi Tiranën në kuadër të Kupës së Shqipërisë, që do të startojë edicionin e saj të radhës. Në këtë sfidë, Shënkolli do të ketë përballë një skuadër të Superiores, Tiranën, e cila e ka nisur kampionatin shumë mirë, duke qenë pretendentja kryesore për titull, ndaj vendësit, përveçse privilegjin e një përballjeje me një skuadër të tillë, do të kenë shanse të pakta kualifikimi.

Smalji

Në këtë sfidë përballë Tiranës do të jetë edhe një ish si Dritan Smajli, por kësaj here në rolin e “gjeneralit”, si trajner i Shënkollit. Gjatë deklaratës së tij një ditë përpara ndeshjes ndaj Tiranës, trajneri lezhjan i Shënkollit, Dritan Smajli, deklaroi:

“Kuptohet që për mua dhe për këdo tjetër të botës së futbollit është privilegj të ndeshesh me superfuqinë e futbollit shqiptar, siç është Tirana. Natyrisht, unë kam emocionet e mia që shorti na rezervoi një përballje të tillë. Ashtu siç e theksova edhe më lart është një privilegj që të ngjall emocione, pasi unë kam qenë pjesë e këtij ekipi, që edhe ky është një privilegj më vete. Normalisht që kjo është një ndeshje kupe ku ne nuk kemi pretendime të mëdha, por që kjo sfidë do të luhet në shtëpinë tonë dhe do të luftojmë të japim maksimumin para tifozërisë sonë të mrekullueshme që po na mbështet, ndaj duhet që t’i kënaqim. Politikat e klubit janë që të aktivizojmë sa më shumë lojtarë të rinj, pasi duam që për dy sezone të mund të ndërtojmë një skuadër të fortë dhe të denjë për pretendime. Duke iu rikthyer edhe një herë sfidës ndaj Tiranës, bardhebluve u uroj mirëseardhjen, duke u rezervuar një mikpritje të denjë për një ekip të këtyre përmasave, por përballja në arenën e blertë do të jetë luftë sportive për të pretenduar fitoren”, deklaroi trajneri i Shënkollit, Dritan Smajli.

Preng Gjikola

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"