Shënkolli u mund nga Tirana, Smajli: Me penalltinë e shënuar flisnim ndryshe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2019 | 13:34

Shënkolli u mund nga Tirana, Smajli: Me penalltinë e shënuar flisnim ndryshe

Dritan Smajli, trajneri i Shënkollit, ishte i mërzitur në fund të sfidës me Tiranën. Një penallti e humbur që mund të kishte ndryshuar historinë e ndeshjes, ngacmon trajnerin e Shënkollit, i cili pas ndeshjes zbërtheu 90-minutëshin.

Smajli-vetem1

“Të them të drejtën shkallën e vështirësisë ne e dinim që kur u hodh shorti. Na ra përballë Tirana dhe diferencat janë shumë të mëdha. Ama sot (dje) normalisht mërzia ishte e madhe. Do të fliste ndryshe ndeshja, nëse ne do të shënonim nga penalltia. Megjithatë, nuk është se dua të kapem shumë te penalltia, sepse e kanë humbur edhe lojtarë të mëdhenj. Mua personalisht nuk më pëlqeu reagimi i skuadrës pas penalltisë. Kuptohet, kur luan ndaj një skuadre shumë të madhe, vështirësia është brenda, por reagimi ishte i dobët. Ndeshjen e kishim përgatitur shumë ndryshe”, tha Smajli. A fitoi Shënkolli nga udha drejt Tiranës apo erdhi vetëm për të respektuar kalendarin?

Trajneri i Shënkollit mendon se takimi me bardheblutë vlejti goxha për djemtë e tij të rinj që ka në skuadër për të kuptuar seriozitetin e të qenit profesionist në Superiore. “Nga ky udhëtim fitojmë shumë. Ua kam bërë të qartë djemve dhe është fati i madh që janë të rinj, sepse mesatarja e skuadrës është 22 vjeç. Janë moshë që kanë karrierë përpara, por Tirana tregon dhe na jep mundësi të shohim se çfarë është të qenit profesionist i vërtetë. Për t’u bërë profesionist është shumë e vështirë. Për të qenë lojtar i Tiranës është akoma më e vështirë dhe djemtë duhet ta kuptojnë se për të shkuar në këto ritme të larta në kampionatin shqiptar, duhet shumë punë, shumë djersë, shumë gjak dhe seriozitet. Shkurt, duhen shumë, shumë…”, e mbylli Smajli.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"