“Shembull se si një fëmijë fshati mund të arrijë majat”, Presidenti Meta përkujton me emocione ish-futbollistin e ndjerë të kombëtares

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2020 | 12:52

“Shembull se si një fëmijë fshati mund të arrijë majat”, Presidenti Meta përkujton me emocione ish-futbollistin e ndjerë të kombëtares

Presidenti i Republikës Ilir Meta kujton ish-futbollistin e Partizanit dhe kombëtares së Shqipërisë Lefter Millo, i cili sot do të festonte 54-vjetorin e lindjes.
millo
Kreu i shtetit çmoi kontributin e ish-mesfushorit legjendar kuqezi, i cili spikati në vitet ’80-’90 me Partizanin dhe në Greqi. Meta vuri në dukje karakterin luftarak dhe shpirtin e paepur të Millos, i cili është pagëzuar në ambjentin e futbollit shqiptar si “Traktori”.

Lefter Millo fitoi me Partizanin titullin kampion në vitin 1987, ndërsa në Greqi luajti për skuadrat e Larisës dhe Iraklisit të Selanikut në periudhën e demokracisë.
milos7

Fatkeqësisht, ai vdiq në moshën 30-vjeçare në afërsi të Larisas në një aksident automobilistik në 1997.

Në vendlindjen e tij, Derviçan, është ngritur një statujë  në kujtim të tij në vitin 2010.

Mesazhi i presidentit Ilir Meta

 

Si sot, 54 vite më parë, në Derviçanin e dashur, lindi një nga ikonat e futbollit shqiptar, mesfushori energjik i Luftëtarit, Partizanit dhe Ekipit Kombëtar, Lefter Millo, të cilin përherë do ta kujtojmë me respekt e mirënjohje.

I pagëzuar nga tifozët e dashamirësit me nofkën “Traktori”, për talentin dhe mjeshtërinë e rrallë në fushën e blertë, Lefter Millo, la gjurmë të thella e të paharruara në historinë e futbollit shqiptar, së bashku me shumë korifej të tjerë si Panajot Pano, Vasillaq Zëri, Arjan Xhumba e Arjan Bellai, të cilët edhe pse me kombësi greke, e nderuan me besnikëri dhe devocion fanelën Kuq e Zi dhe ngritën lart emrin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke u kthyer shembuj të jashtëzakonshëm për brezat e rinj e veçanërisht në simbole të bashkëjetesës së shkëlqyer ndëretnike në vendin tonë.

Futbolli ynë ka nevojë për modelin e vyer të Lefter Millos, i cili shkëlqeu edhe me ekipet më të mira të Greqisë, për shpirtin e tij të garës, dëshirën dhe vendosmërinë për të fituar, dhe jam i bindur se minoriteti grek do t’i japë sportit shqiptar të tjera talente dhe legjenda si ai.

U largua nga jeta aksidentalisht në kulmin e formës sportive, kur të gjithë prisnim të jepte maksimumin e tij, për të mbetur përgjithmonë në memorien tonë si fitimtari i dyluftimeve, i paepur, energjik dhe triumfues, për këdo që e adhuronte për karakterin dhe pasionin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e blertë.

Lefter Millo është shembulli se si një fëmijë fshati vetëm falë pasionit, këmbënguljes dhe talentit mund të arrijë majat e suksesit.

Mezi pres të rikthehem në Derviçian për të nderuar këtë legjendë të futbollit Kuq e Zi.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"