Shehi: Partizani adrenalinë, Nimaga ishte i… dëmtuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2018 | 21:14

Shehi: Partizani adrenalinë, Nimaga ishte i… dëmtuar

Sigurisht që fitorja me Partizanin ka qenë një nga notat më pozitive për Skënderbeun në fillim të këtij sezoni dhe fakti që e nisën mbrojtjen e titullit me një trepikësh përballë një rivali direkt, ndikon që gjendja psikologjike të jetë e shkëlqyer. Pa dyshim që këtë e di edhe trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi, i cili në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” vlerëson lojën e të tijve në ndeshjen me Partizanin përpos rezultatit, ndërsa nga ana tjetër kërkon kujdes në ndeshjen e radhës në Krujë përballë Kastriotit me qëllim që të merret maksimumi edhe në këtë takim.

shehi

“Ndeshja me Partizanin ishte e para e këtij sezoni dhe normalisht pas një pune të gjatë në një fazë përgatitore, nuk mund të pretendosh që ekipi të jetë në gjendjen e tij optimale dhe të marrësh maksimumin. Megjithatë, djemtë më kanë befasuar për sa i përket grintës dhe dëshirës që kishin për fitore në këtë ndeshje. Unë jam shumë i kënaqur nga ajo çka ata treguan në fushë për gjatë 72 minutave që loja u bë korrekte, sepse me thënë të drejtën, pas incidentit në stadium ishte shumë e vështirë për të gjithë që të përqendroheshim te ndeshja dhe të flisnim për futbollin e luajtur.

Fitorja ishte me shumë vlerë, pasi janë pikët ato që kanë rëndësi në këtë fillim sezoni. Megjithatë, edhe nëse ekipi nuk do të kishte fituar, por ndeshja do të përfundonte në barazim, sigurisht që nuk do të ishte problem. Do të isha sërish i kënaqur. E përsëris që jam i kënaqur me lojën që zhvilloi ekipi dhe shpirtin e garës që treguam në fushë”, theksoi fillimisht kryepankinari i Skënderbeut, Orges Shehi.

shehi

KASTRIOTI

Më tej, numri një i pankinës së Skënderbeut u ndal edhe te ndeshja e radhës, të cilën e vlerësoi si mjaft të rëndësishme dhe tepër delikate, pasi bëhet fjalë për një kundërshtar të ri që sapo ka hyrë në Superiore, por me një dëshirë të madhe për të bërë mirë në fillim të sezonit. Për këtë Shehi kërkoi përqendrim maksimal nga ekipi dhe u shpreh besimplotë se këto dy fitore do të ndikojnë për mirë në moralin e ekipit.

“Ndaj Kastriotit pa dyshim që pritet një ndeshje e vështirë dhe delikate. Luajmë në transfertë dhe kemi respekt maksimal për Kastriotin si ekip që sapo i është bashkuar Kategorisë Superiore dhe ka një dëshirë për të bërë mirë dhe për të qenë brenda objektivave që ka ai si klub. Megjithatë, ekipin e shoh të karikuar dhe besoj se dy fitoret e para, njëra në Superkupë dhe tjetra në Kampionat përballë Partizanit, na kanë bërë shumë mirë dhe do të ndikojnë mjaft në ndeshjet pasardhëse”, deklaroi Shehi.

STOLI

Sigurisht që nuk kishte se si të mos ndalej tek ekipi që ka në dispozicion numri një i pankinës bardhekuqe. Vetë Shehi pranon se ka një ekip të ri, por të mbushur me kualitete, ndërsa shpreson se deri në fund të merkatos diçka do të ndryshojë dhe skuadra do të rritet në cilësi. “Ne jemi të vetëdijshëm se Skënderbeu i këtij sezoni është një ekip i ri, i ndërtuar përgjithësisht me djem që kanë perspektivë për të ardhmen.

shehi

Vërtet jemi në një moshë të re, por që janë djem që kanë talent dhe mund t’i japin shumë Skënderbeut. Gjithsesi, unë e them se merkatoja jonë ende është e hapur dhe po kërkojmë që të përforcojmë ekipin. Ka ende ditë deri në mbyllje të saj dhe them se diçka do të ndodhë në mënyrë që cilësia të rritet akoma edhe më shumë”, vijoi ish-kapiteni bardhekuq.

NIMAGA

Për sa i përket çështjes “Nimaga” trajneri i Skënderbeut nuk ka dashur të zgjatet shumë dhe e ka prerë shkurtimisht: “Unë personalisht lojtarin e dija të dëmtuar, pasi kështu ka qenë. Ishte në planet e mia për të luajtur si titullar përballë Laçit në Superkupë, por u dëmtua. Më pas, për sa i përket largimit të tij, janë gjëra që u takon t’i zgjidhë lojtari dhe klubi. Ne jemi të përqendruar vetëm te përgatitjet dhe duam të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës”, mbylli prononcimin e tij trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"