Shehi: Ndeshje e zakonshme, tifozët të mos ofendojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2018 | 16:22

Shehi: Ndeshje e zakonshme, tifozët të mos ofendojnë

Kapiteni Orges Shehi, gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, pohoi se përballja e sotme me ish-ekipin e tij, Partizanin, është një ndeshje e zakonshme. Sipas tij, nuk është ndeshje përcaktuese për titull, si dhe u bën apel tifozëve që të jenë të sjellshëm dhe të evitojnë ofendimet në kor.

shehi

“Ndeshja kundër Partizanit, për ne është një sfidë e zakonshme, duke pasur parasysh edhe distancën e konsiderueshme që kemi, jo vetëm me të kuqtë, por me të gjitha skuadrat e tjera të kampionatit. Nuk është një ndeshje që mund të ketë ndonjë rëndësi të veçantë, përveç aspektit moral dhe psikologjik.

E them këtë, pasi mendoj se nuk është ndeshje përcaktuese për titullin, që të jemi të sinqertë. Është një ndeshje përballë një ekipi, që vitet e fundit ka qenë rivali ynë kryesor në luftën për titull dhe si e tillë mendoj se do të jetë një ndeshje, e cila edhe nga tifozët do të kërkohet të fitohet me çdo kusht.

Pikërisht për këtë, unë do të doja tu bëja një apel tifozëve që të tregojnë një sjellje shembullore në këtë takim dhe të lenë mënjanë ofendimet dhe sharjet në kor. Të tregojnë kulturën dhe atë çka është e aftë qytetaria korçare të bëjë. Për këtë do t’i kërkoja që të mos bëhet pre e sharjeve dhe ofendimeve, pasi jemi në vitin 2018 dhe është e paimagjinueshme që të vijohet me sjellje që nuk i kanë hije Korçës dhe kulturës së këtij qyteti.

Ne do të mundohemi të bëjmë maksimumin për t’i kënaqur ata në këtë takim, por edhe veten tonë. Do të mundohemi të marrim një fitore, pasi ky është objektivi i Skënderbeut në çdo takim”, u shpreh fillimisht portieri Orges Shehi.

Dosja “UEFA”- Sa u përket lajmeve për një dënim të mundshëm të Skënderbeut, Shehi u shpreh: “Sigurisht, në kushte kur gjithçka flitet, të prek psikologjikisht. Nuk është e lehtë të luash në të tilla kushte. Në një situatë të tillë, ndoshta edhe më të keqe, kemi qenë edhe ndaj Kamzës.

Ajo që çfarë shkruhet, çfarë flitet dhe çfarë sulmohet nuk e ndihmon skuadrën, por fatmirësisht Skënderbeu ka lojtarë kampionë dhe po arrijnë t’i bëjnë ballë gjithë kësaj amullie që është krijuar.

Tubimi i tifozëve? Kemi qenë në stërvitje të them të drejtën kur është zhvilluar ai tubim, por e kemi marrë vesh përmes medias se ka pasur një prezencë shumë të madhe. Ishte diçka fantastike. Kemi qenë vërtet të emocionuar nga mbështetja dhe gjej rastin t’i falënderoj si kapiten i ekipit për mbështetjen, që janë duke na dhënë në këtë situatë.”

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"