Shehi kalon COVID-in: Nuk kam shije, s’pata shqetësime të mëdha

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2021 | 19:15

Shehi kalon COVID-in: Nuk kam shije, s’pata shqetësime të mëdha

Orges Shehi ka lënë pas COVID-in ose të paktën shenjat e tij. Prej dy ditësh i është kthyer stërvitjes dhe grupit me ekipin e Tiranës për të vazhduar punën që kishte lënë përgjysmë. Ende jo në top formë, gjendja e Shehit është shumë e mirë dhe ai ka nisur punën për të rikthyer skuadrën e tij te fitorja që mungon prej dy javësh.

Orges Shehi

Ka rezultuar negativ, ndërsa, siç thotë edhe vetë, këtë situatë që po i streson të gjithë e kaloi lehtë. Ish-lojtari i Kombëtares pranon se ditët e temperaturës kanë qenë të pakta, ndonëse problemi i vetëm është humbja e shijes. “Falënderoj Zotin, jam mirë. E kalova lehtë sikletin. Nuk pata shqetësime të mëdha. Një temperaturë të lehtë, pa kaluar 38. Është bërë dita e 14-të dhe jam shumë mirë. Shije nuk kam. Vetëm muskujt e kofshëve më lodhen. Për të tjerat jam shumë mirë. Edhe frymëmarrja shumë mirë. Sigurisht ishte e vështirë në izolim, por e kalova shumë lehtë. Uroj që të gjithë të jenë mirë dhe ta kalojnë sa më lehtë”, u shpreh dje Shehi për “Panorama Sport”.

Trajneri i Tiranës u izolua që pas ndeshjes me Kukësin, pasi pati temperaturë, ashtu si përgatitësi i portierëve Alfred Osmani e Filip Najdovski. Trajneri i bardhebluve qëndroi 14 ditë në izolim, ndërsa skuadrën në sfidën me Teutën dhe javën stërvitore e drejtoi Edlir Tetova. Pothuajse çdo skuadër, trajner dhe lojtar e ka kaluar COVID-in. Ka nga ata si Najdovski që ishin pa shenja fare, por rezultuan pozitivë pas bërjes së tamponit.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"