Shefi i ri i klubit durrsak: Teuta për Europë, pres fitore në Gjirokastër

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Shtator 20, 2018 | 19:46

Shefi i ri i klubit durrsak: Teuta për Europë, pres fitore në Gjirokastër

Klubi i Teutës ka pasur një agjendë të ngarkuar dje, teksa fillimisht është bërë një mbledhje mes presidentit, shefit të klubit, stafit teknik dhe drejtorit të akademisë. Pas ndryshimeve më të fundit foli për “Panorama Sport”, shefi i ri i klubit, Enid Furxhi.

enid furxhi

Si e pritët emërimin në postin e ri?

Natyrisht që ndihem i lumtur. Është një vlerësim i madh nga kryesia ndaj meje dhe në të njëjtën kohë një përgjegjësi. Prej vitesh duke mbuluar pozicione të ndryshme kam qenë afër klubit dhe tani ndihem mirë që jam akoma dhe më afër dhe më jepet mundësia të kontribuoj për Teutën.

Ju bind Teuta e këtij sezoni?

Ekipi ka pësuar shumë ndryshime, por po punojmë të gjithë së bashku të rikthejmë Teutën aty ku i takon. Konkluzione është herët të nxjerrim, por mund t’ju them që jemi në rrugën e duhur.

Objektivi është Europa?

Pa dyshim që ekipi i ka të gjitha shanset t’i shkojë deri në fund objektivit dhe ta realizojë atë. Kemi ndërtuar një grup solid, që së shpejti do sjellë frytet e veta.

Humbja me Kukësin, sa ka ndikuar në skuadër?

Ndeshja me Kukësin ishte thjesht çështje fati. Nëse do të shënonim në fund, tani do flisnim ndryshe. Morali është i lartë, si te stafi, por edhe te lojtarët, të cilët kanë plotësisht besimin e kryesisë.

Ndeshja e radhës është ndaj një kundërshtari si Luftëtari, që është i etur për pikë…

Ne i respektojmë të gjithë kundërshtarët, pa asnjë lloj diference. Në Gjirokastër do të shkojmë vetëm për 3 pikët. Duhet të tregohemi më cinik.

Në katër javë sulmi ka realizuar vetëm 1 gol, jeni i zhgënjyer?

Është një çështje ngërçi dhe ambientimi, sepse vijmë pas një merkato në të cilën ekipi ka ndryshuar thuajse plotësisht. Të gjithë kemi besim se nga java e ardhshme gjërat do të ndryshojnë për mirë.

Amarildo Alia






www.minuta90.com