Shefi i Garave në FSHF: Gabimet e arbitrave janë të pranishme, çështja “Skënderbeu” nuk do ndikojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2018 | 21:14

Shefi i Garave në FSHF: Gabimet e arbitrave janë të pranishme, çështja “Skënderbeu” nuk do ndikojë

Shefi i Sektorit të Garave pranë FSHF-së, Lysien Nurishmi, i ftuar në “Ora Sport” në emisionin sportiv të gazetarit Glendi Tafaj, i është përgjigjur një sërë pyetjesh, ku nuk mund të mungonin dhe dy nga çështjet më të nxehta të momentit, akuzat e Partizanit për arbitrat dhe dënimi i mundshëm i Skënderbeut. Te pjesa e akuzave të fundit të Partizanit për gjykimin, Nurishmi preferoi të japë një përgjigje indirekte pa përmendur emra.

Ai u bën thirrje klubeve që të mos ndikojnë me deklaratat e tyre nëpër media, por të fokusohen te fusha. Ndërsa për çështjen “Skënderbeu”, ai pohoi se nuk ka njoftim zyrtar dhe lajmet që qarkullojnë nuk do të ndikojnë në ecurinë e kampionatit. Gjithashtu, Shefi i Sektorit të Garave bëri një panoramikë të sezonit aktual, ku ka rënë miti skuadër fushe, si dhe sqaroi funksionimin e nismës më të re të federatës që ka të bëjë me futbollin e fëmijëve.

lysien nurishmi

FUTBOLLI I MOSHAVE- “Një nga prioritetet e Federatës Shqiptare të Futbollit në katër vitet e ardhshme është zhvillimi dhe promovimi i futbollit të moshave dhe të rinjve. Tashmë ka filluar të zbatohet dhe projekti “Grow”, me një bashkëpunim mes FSHF-së, UEFA-s dhe Ministrisë së Arsimit. Pra, në çdo shkollë të Shqipërisë do të ketë një orë mësimi që do të quhet ora e futbollit. Aty, të gjithë fëmijët, si djem dhe si vajza të nivelit fillestar, do të inkuadrohen në orën e futbollit. Për sa i përket futbollit për pak më të rritur, U17, U19, ky është edicioni i tretë i Kupës së Shqipërisë për moshat, pra, sektori i garave, përveçse organizon kampionatin për këto mosha, zhvillon dhe një kompeticion jo më pak i rëndë- sishëm se ai i kampionatit.

MBARËVAJTJA E SEZONIT- “Në këtë edicion nuk ekziston më skuadra e fushës dhe fitoret si brenda, si jashtë, janë të balancuara. Një futboll “fair”, pasi luhet pa presion në çdo fushë. Normalisht ka problematika, pasi kemi pasur rastet e dhunës dhe që janë dënuar maksimalisht nga komisionet juridike të federatës. Ka edhe gabime e polemika, por që nuk kanë ndikuar në garë. Duke u bazuar te statistikat kemi një kampionat më të mirë, kjo sa u përket golave të shënuar, fitoreve jashtë fushës dhe rivalitetit mes skuadrave. Nëse për vendin e parë Skënderbeu është shkëputur disi, lufta është shumë e fortë për mbijetesën dhe Europën”.

Lysien-Nurishmi-shorti

DHUNA- “Këlcyra është një episod i veçuar. Është i vetmi episod që ka pasur dhunë ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Mund të kemi pasur problematika në shkallët e stadiumit për ofendime apo çështje të tjera disiplinore. Por, në fushën e lojës ky është një rast i veçuar. Normalisht është marrë edhe vendimi i duhur, ndërsa sa i përket ecurisë në kategoritë e ulëta, kemi pasur disa probleme të vogla, por ne nuk kemi pasur cenim të garës, sa u përket rezultateve.

AKUZAT PËR GJYKIMIN- “Në rast se do të kemi garë, do kemi lojë, do kemi polemika, do kemi gabime dhe do të kemi dhe disa fjalë që nuk janë të duhurat. Deklarata pas ndeshjeve, ku një trajner apo zyrtar është i nervozuar, mund të shprehë diçka që më pas dhe ai vetë nuk do ta pranojë. Mbase është një shfryrje e momentit duke ndikuar dhe te lojtarët. Megjithatë, ndeshjet luhen javë pas jave dhe lojtarët duhet të jenë të përqendruar te ndeshja e radhës, pasi ndeshja luhet në 90 minuta dhe nuk luhet nëpër media dhe gazeta”.

DËNIMI I SKËNDERBEUT- “Në federatë nuk ka ardhur ndonjë njoftim zyrtar. Normalisht jam i informuar për ato informacione që po qarkullojnë në media. Nuk mendoj se do të ndikojë tek ecuria e kampionatit. Unë si shef i sektorit të garave dhe FSHF-së shpresojmë vetëm që kampionati të jetë i luftuar deri në fund dhe të mos kemi dënime drastike për skuadrën e Skënderbeut, që do të ndikojë normalisht në garën për fitimin e titullit dhe në garën për Europën. Jemi në pritje”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"