“Sharl është djalë i mirë”, Vershtapen ‘thumbon’ Hamiltonin: Preferoj duelin me Lëklerkun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2022 | 23:52

“Sharl është djalë i mirë”, Vershtapen ‘thumbon’ Hamiltonin: Preferoj duelin me Lëklerkun

Miq-armiq, kështu e quan Maks Vershtapen marrëdhënien që ka me Sharl Lëklerkun, teksa në një intervistë të dhënë së fundmi, edhe një herë tjetër nuk i kursen “thumbat” për Luis Hamiltonin dhe Mercedesin.

v2_large_90c9bab3da31d952fea90e9c57e2ed4a00252456

“Unë preferoj sfidën aktuale me Lëklerkun sesa atë të viteve të kaluara me Luis Hamiltonin. E njoh shumë mirë pilotin e Ferrarit, është djalë i mirë dhe ne jemi në të njëjtën moshë”, shprehet kampioni në fuqi i botës për rivalitetin në prag të Çmimit të Madh të Belgjikës.

“Ne po luftojmë kundër një kundërshtari të respektuar, siç është Ferrari. Nëse fitojnë ata, mund t’i urojmë dhe nëse fitojmë ne, mund të bëjnë të njëjtën gjë.

Ne i njohim mirë të gjithë njerëzit e skuadrës së tyre. Edhe me Matia Binoton kam një marrëdhënie të shkëlqyer. Jo vetëm me të, gjithashtu edhe Xhino Rosaton, i cili është gjithmonë aty duke bërë shaka. Mendoj se është fantastike, sepse ky është kuptimi i garës: konkurrencë e ashpër në pistë, gjithmonë duke u përpjekur të mposhtni kundërshtarin, por jashtë kemi marrëdhënie të mira.

Është pikërisht kjo gjë, ajo që vlerësoj shumë në sezonin aktual”, deklaron piloti i Red Bullit. Një marrëdhënie e qetë që nuk ekziston me Mercedesin: “Le ta quajmë të tillë, – thotë holandezi. – Nuk do ta kaloja natën e së shtunës në të njëjtën tavolinë duke qeshur me ta, nuk e di pse. Ndërsa raporti që kam me Ferrarin është i ndryshëm. Për ta kam pasur në përgjithësi gjithmonë respekt”, thotë 24-vjeçari.

“Tani që kam një përvojë më të madhe, – vijon Vershtapen, – nëse kthehem pas kur kam filluar, ndjej se isha një fillestar i vërtetë, sepse ishte gjithçka e re për mua. Megjithatë, tani, pas vitesh eksperiencë, nga gabimet dhe gjërat pozitive, kam mësuar shumë. E kuptoj Formulën 1 shumë më mirë. Megjithatë, kurrë nuk mund të jesh perfekt, gjithmonë mund të mësosh dhe të bësh akoma më mirë”, shprehet Vershtapen.

Më pas, holandezi rikthehet të flasë për fitoren e Kampionatit Botëror vitin e kaluar: “Në çfarë mënyre më ka ndryshuar ai sukses? Në nivelin njerëzor në asgjë. Kjo sepse më pëlqen gara dhe më pëlqen ta realizoj me ekipin tim. Dua të vazhdoj ta bëj sa më gjatë që të jetë e mundur. Kemi një makinë të mirë dhe ne mund të luftojmë për fitore dhe tituj. Një situatë që nuk duhet kurrë se sa do të zgjasë, kështu që është e rëndësishme që të shijohet momenti”, përfundon Vershtapen, i cili kryeson renditjen e pilotëve në botërorin aktual të Formulës 1, i shkëputur 70 pikë nga vendi i dytë që mbahet nga Lëklerk.

ARTIN LLESHAJ  – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"