Shansi për kreun/ Nikaj kërkon kujdes, trajneri i Vorës: E befasojmë edhe Burrelin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2021 | 12:11

Shansi për kreun/ Nikaj kërkon kujdes, trajneri i Vorës: E befasojmë edhe Burrelin

Burreli luan për kreun, ndaj sot as që e ka në plan të falë pikë. Përballë do të kenë Vorën në “Liri Ballabani” dhe skuadra ka marrë masat për të evituar çdo lloj surprize të pakëndshme. Me Dinamon që është pushim, u vjen shansi për të marrë vendin e parë. E megjithatë, trajneri Samuel Nikaj mundohet që të evitojë euforinë.

Nikaj

“Jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje. E vlerësojmë si vendimtare, pasi kemi shansin të marrim kreun. Përderisa pretendimet i kemi madhore, nuk na lejohen hapa falsë. Ndoshta në letër duken të kalueshëm, por unë nuk mendoj kështu. Diferencat janë të vogla në këtë kampionat, ndaj duhet motivimi dhe dëshira në fushë. Vora është një klub me një nga akademitë më të mira, ndaj meriton respekt. Nuk mund t’i nënvlerësojmë, ndaj e shohim këtë si një finale”, tha Nikaj.

Vora mundi Besëlidhjen, por nuk ka në plan që ta lërë me kaq. Këtë javë shkojnë në Burrel, për të sfiduar ekipin vendës. Një tjetër fitore do t’i largonte njëherë e mirë nga zona e rrezikut. Frenki Lamçe beson se skuadra ka forcat e duhura për të bërë befasinë. Mbrojtësi 26-vjeçar për gazetën thotë: “E kishim vlerësuar Besëlidhjen dhe u shpërblyem. Jam i lumtur që morëm tri pikët duke u bazuar në skemat që aplikuam në stërvitje dhe përkushtimin maksimal në fushë.

Kemi ardhur duke u rritur dhe tani do të kërkojmë edhe më shumë në ndeshjet e tjera. Kjo ishte një nisje e mbarë që na ngriti psikologjikisht. Me Burrelin do të jetë e vështirë, por ne do të bëjmë çmos që të nxjerrim më të mirën nga ky takim. Nuk do të jemi inferiorë karshi kundërshtarit, ndaj do të luajmë ashtu si kundër Besëlidhjes edhe nesër (sot)”.

DRITAN KURTI/ ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"