Shansi i fundit/ Sherifi e ka lojë spiunash, Interi kërkon “ta arrestojë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2021 | 14:47

Shansi i fundit/ Sherifi e ka lojë spiunash, Interi kërkon “ta arrestojë”

Mbrëmjen e sotme në “San Siro” do të ketë një tjetër shfaqje futbolli. Në fushë do të zbresë Interi, i cili do të presë në shtëpinë e vet Sherif Tiraspolin, ekipin që nga përballjet në “Niko Dovana” me Teutën, ka arritur të mposhtë “Santiago Bernabeu”- n dhe të njëjtën gjë do të kërkojë ta bëjë edhe me “La Scala”-n e futbollit.

inter

Moldavët janë “Hirushja” e Grupit D dhe e kryesojnë atë me pikë të plota pasi ia kanë dalë të marrin nga tri pikë si me Shahtjorin dhe me Realin e Madridit, ndërkohë që kampionët e Italisë janë ndalur në kuotën e vetëm një pike, por pa gjetur ende golin e parë. Edhe pse tashmë nuk është më një surprizë, për Sherifin ka ende shumë kuriozitet, pasi moldavët janë një klub i formuar rishtazi, vetëm në vitin 1997. Presidenti i tanishëm, Viktor Gushan, kreu investimin, por e shkuara e tij para viteve 1990 është e lidhur me KGB-në, atëherë kur Gushani ka qenë një nga spiunët e kësaj organizate të Bashkimit Sovjetik.

Sherif Tiraspoli në fakt është përfaqësues i krahinës së Transnistrias, e njohur nga vendësit si shtet më vete, por kurrë i njohur nga Kombet e Bashkuara, gjë që e ka bërë klubin tashmë përfaqësues të Tiraspolit, vendit më të pasur në Moldavi, ku kanë edhe selinë e tyre dhe një kompleks sportiv me përmasa mbi 65 hektarë, që përfshin 8 fusha stërvitjeje, praktikisht një pallat sportiv. Pavarësisht polemikave të lidhura me politikën, në anën sportive, klubi ka qenë një sukses i vërtetë sepse 21 vitet e fundit kanë fituar 19 herë “La Divizia Nationala”, kampionatin kombëtar të Moldavisë dhe numërojnë edhe 17 trofe të tjerë kombëtarë.

Ajo që e bën akoma më të veçantë është organika, me përfshirje nga e gjithë bota: Luksemburg, Maqedoni, Slloveni, Brazil, Trinidad dhe Tobago, Bosnjë, Greqi. Ka qenë ky grup që për 18 vite është skualifikuar në eliminatoret e Champions-it, por këtë vit ia doli duke bërë debutimin në fazën e grupeve, pasi mori 6 fitore dhe 2 barazime, që nga Teuta deri te Crvena Zvezda e Stankoviçit dhe Dinamo e Zagrebit.

SHANSI I FUNDIT PËR INTERIN – Për të mposhtur Sherifin, duhet një mbrëmje prej Interi të madh sepse moldavët janë mjeshtra të cinizmit. Me Realin zotërimi i topit ka qenë vetëm 24.8%, por kanë arritur të shënojnë dy gola dhe tashmë luajnë me lehtësi. Por tashmë moldavët nuk janë më një surprizë dhe Inzagi me stafin e tij do t’i analizojnë deri në detaje për të mos u zënë në befasi taktikisht. Një shtysë më shumë është gjendja në të cilën ndodhen zikaltrit në grup, aty ku luajnë shanset e fundit për kualifikimin që u mungon prej 10 vitesh. Inzagit do t’i rikthehet Lautaro, që do të marrë vendin e tij përkrah Xhekos për të udhëhequr skuadrën, që në 9 sfidat e fundit në Europë ka fituar vetëm 1.

Jo vetëm kaq, por trajneri duhet të arrijë të rivendosë ekuilibrat në skuadër dhe duhet ta bëjë grupin të dalë si duhet në fushën e lojës, me një kompaktësi dhe grintë, që në raundin e fundit në Europë u panë te Milani, Napoli e Juve. Duket se për të punuar është edhe gjendja mendore e skuadrës sepse nervozizmi i tepërt dhe i pajustifikuar me Lacion nuk duhet në asnjë mënyrë të transportohet edhe mbrëmjen e sotme.

EFEKTI DOMINO – Interi duhet të bëjë një paraqitje dinjitoze, jo vetëm sepse klasifikimi ia imponon duke qenë se luan me ekipin e vendit të parë, por edhe për të shmangur efektin domino. Një tjetër hap fals, pas ndeshjes me Lacion do të rrezikonte shumë nga rrugëtimi i zikaltërve jo vetëm në Europë, por edhe në Serinë A, aty ku përballja e radhës do të jetë me Juventusin. E nëse Inzagi dhe skuadra e tij do t’ia dalin të kthehen të fitorja, përveçse do të mbajnë gjallë shpresat për kalimin e fazës së grupeve, do të hedhin pas krahëve humbjen në Romë dhe mund të presin bardhezinjtë më të qetë. Tek Interi e dinë se ndeshja me Sherifin përcakton fatin e tyre në grup dhe përballë presionit se mund të gabojnë, Lautaro me shokë duhet të tregojnë stofin e tyre prej kampioni dhe këtë herë t’i kundërpërgjigjen Sherifit.

Përgatiti: Nisli Gjini 

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"