Shameti tregon ofertat nga katër kampionate: Vendosi Gjici, mosha dhe rroga

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2017 | 19:32

Shameti tregon ofertat nga katër kampionate: Vendosi Gjici, mosha dhe rroga

Ylli Shameti ishte një nga lojtarët më të kërkuar të merkatos si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, megjithatë vendosi të vazhdonte aventurën e tij me skuadrën e Kukësit. Gjithsesi qendërmbrojtësi vendosi të firmoste me verilindorët, pasi presidenti Gjici ia plotësoi të gjitha kushtet. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Shameti zbardh të gjitha bisedimet e merkatos dhe është i bindur se Kukësi ka forcën për të mbrojtur titullin kampion.

Shameti

Vendosët të firmosnit edhe për një sezon me Kukësin. Ishte ky një vendim i vështirë?

Jo, aspak. Duke parë ecurinë time pozitive te Kukësi këto 4 vite, duke fituar edhe 3 trofe me ta isha familjarizuar, kështu që s’e kam pasur të vështirë, plus që presidenti Gjici ka qenë shumë korrekt gjatë kësaj periudhe dhe kushtet që unë i kërkova i plotësoi.

Kishit edhe një ofertë nga Partizani gjatë kësaj periudhe. Përse vendosët të zgjidhnit Kukësin?

Pas katër viteve te Kukësi, unë në mënyrë njerëzore dhe profesionale duhet të dëgjoja ofertën e presidentit pastaj të shqyrtoja ofertat e ekipeve të tjera. Presidenti Gjici më kërkoi që ta prisja për gati dy javë për të mbyllur marrëveshjen, kështu që gjatë kësaj periudhe edhe drejtuesve të Partizanit, të cilët i falënderoj për interesimin, u thashë që pa mbyllur bisedën me Safet Gjicin nuk mund të lëviz. Dhe kështu ndodhi.

Mund të na zbuloni diçka rreth ofertave që patët nga Sherif Tiraspol, Visla apo edhe nga Qipro?

Kukësi u ndesh me Sherif Tiraspolin, aty ata u njohën me mua dhe lojën time. Trajneri i Sherifit ka ngulmuar shumë për të më pasur në ekip, marrëdhënia jonë ishte nëpërmjet Dritan Dervishit, pasi njiheshin në Itali te Verona, por fatkeqësisht drejtori sportiv i Sherifit donte dikë tjetër dhe kështu u mbyll si pistë.

gjoka shameti

Ndërsa presidenti i Aris Limasolit ishte prezent në ndeshjen e parë në Moldavi ku ne luajtëm në Kishinjev me Sherifin dhe nëpërmjet Kosta Grillos ka ndërhyrë duke më bërë ofertë zyrtare, por që nuk ishte në parametrat financiarë që unë kërkoja nëse do largohesha jashtë Shqipërisë, kështu që edhe ajo pistë u mbyll.

Visla e Krakovës gjithashtu shfaqi interes konkret, pasi më studioi në dy ndeshjet e Champions. Gjithçka ishte OK-i, përveçse moshës, ndaj gjërat u kanë pezull. Gjithsesi unë jam i kënaqur që qëndrova në Shqipëri te Kukësi, pasi jam si në shtëpinë time.

Nga Kukësi është larguar një pjesë e mirë futbollistësh dhe njëkohësisht janë afruar të tjerë, si ju duken afrimet e reja?

Gjithmonë në periudha merkatoje do ketë largime dhe afrime, ashtu siç ata që u larguan kanë bërë shumë mirë sezonin e shkuar. Uroj që edhe këta që kanë ardhur së bashku me ne që kemi qëndruar të bëjmë akoma më mirë. Objektivi i sezonit të ardhshëm mbetet mbrojtja e titullit kampion.

Sa shanse keni ta fitoni sërish?

Kukësi ka plot 5 vjet që po investon për të fituar trofe dhe sezonin e shkuar morën tre. Tani ky ekip dhe ky klub ka pjekurinë dhe bagazhin e duhur për ta mbrojtur sërish titullin, por edhe trofetë e tjerë, gjithmonë nëse ne në fushë japim maksimumin dhe mundohemi të bëjmë sa më mirë.

Megjithatë rivalët janë përforcuar shumë. Si e shihni garën me ta?

Pa diskutim, ashtu siç mendojmë ne të forcohemi, kanë bërë edhe rivalët tanë dhe gjithmonë ka pasur konkurrencë, por kjo gjë duhet të na mobilizojë më shumë sepse jo vetëm Partizani edhe Skënderbeu janë forcuar, por të gjitha ekipet e tjera po bëjnë shumë mirë.

Ylli Shameti Kukesi 1

Diçka për seancat stërvitore nën drejtimin e trajnerit të ri?

Gjithë ekipi po punon fort, të udhëhequr nga trajneri Milinkoviç, detyra jonë është vetëm fusha, çdo gjë tjetër e dinë hallkat e tjera të klubit. Trajneri është profesionist, ndaj shpresoj që të gjithë bashkë të arrijmë objektivat.

E ka “blinduar” mbrojtjen rikthimi i Allës dhe sa ndikim keni pasur në këtë vendim të tijin?

Me Allën pa diskutim kemi bërë një sezon shumë të mirë dhe do na bënte punë përsëri në kampionatin e ri. Por edhe djemtë e tjerë që kanë luajtur në atë pozicion si Memini apo Hoxha kanë bërë shumë mirë, janë munduar të japin gjithmonë maksimumin.

Bëri shumë mirë Alla që u kthye, por natyrisht që ashtu siç dhe në fushë, ne jemi shokë edhe jashtë saj dhe ndikohemi sadopak nga njëri-tjetri. Merita më e madhe i takon presidentit Gjici, i cili është një njeri me vlera dhe që e do futbollin, ai mundohet çdo kohë të bëjë më të mirën për ekipin tonë, ndaj dhe ka sakrifikuar për të marrë lojtarë cilësorë.

Nëse jua propozojnë, do pranoni të jeni kapiteni i Kukësit këtë sezon?

Ma kanë propozuar edhe vjet shiritin, por sa të jetë Hallaci në fushë, shiriti i takon atij, kjo është diçka e panegociueshme nga ana ime.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"