Shameti komenton shortin e Kukësit: Të lehtë në letër, por në fushë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2018 | 20:39

Shameti komenton shortin e Kukësit: Të lehtë në letër, por në fushë…

Kapiteni i Kukësit, Ylli Shameti, menjëherë pasi u mësua kundërshtari në turin e parë të Ligës së Kampioneve, u shpreh i kënaqur në një bisedë për “Panorama Sport” përmes linjës telefonike nga Sllovenia, aty ku verilindorët po kryejnë fazën përgatitore. Pritshmëritë e mbrojtësit ishin për klubin maltez që përpara hedhjes së shortit, por gjithashtu në preferencat e Kukësit ka qenë edhe ekipi estonez i Flora Talin.

shameti

“Shorti në letër duket i lehtë, por shpresojmë që të jetë edhe në fushë i tillë. Pa derdhur djersë dhe pa mobilizim nuk mund të kalohet asgjë. Futbolli është i tillë që nuk të lejon të bësh parashikime dhe aq me tepër nënvlerësime. Valeta ka dalë kampione në Maltë dhe është një skuadër që ka traditë në Kupat e Europës. Duhet ta studiojmë kundërshtarin”, ka thënë fillimisht qendërmbrojtësi gjirokastrit. Më tej, kapiteni shprehu bindjen se Kukësi i ka të gjitha mundësitë për të kaluar turin e parë dhe shpreson te një arritje historike. “Duhet të punojmë fort që të kalojmë patjetër këtë tur.

Unë jam i bindur që duke dhënë maksimumin, do të arrijmë të shkojmë larg në Europë”, përfundoi lideri i Kukësit, që prej pesë sezonesh është një nga lojtarët më të rëndësishëm për verilindorët. Shameti ka fituar gjithçka me fanellën e Kukësit, por ende nuk dihet nëse palët do të vazhdojnë bashkëpunimin edhe për sezonin e ri, pasi kontrata e lojtarit me klubin përfundon pas Kupave të Europës.

S. Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"