Shameti: Kemi presion pikësh, por nuk duhet të importojmë krizën e Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2017 | 11:28

Shameti: Kemi presion pikësh, por nuk duhet të importojmë krizën e Partizanit

Ylli Shameti u rikthye në formën e tij, pas atij dëmtimi që e la jashtë fushave për mbi një muaj. Tashmë ai është një force e madhe në mbrojtjen e Kukësit, që ka vuajtur jo pak gjatë fazës së parë. Në një analizë për këtë fillimkampionati, mbrojtësi theksoi se nuk duhet bërë dramë, pasi ekipi thuajse në të njëjtën kuotë pikësh ka qenë edhe sezonin e kaluar. Fillimisht, mbrojtësi gjirokastrit foli për rikthimin në fushë.

cani shameti

“Pa diskutim që ishte një kohë e gjatë për mua dhe ishte hera e parë që qëndroj kaq gjatë jashtë fushave të futbollit për shkak të një dëmtim të rrallë dhe të rëndë. E rëndësishme është që jam rikthyer, po punoj shumë që të kap formën time maksimale për të ndihmuar ekipin.

Për ecurinë e Kukësit mendoj se kemi bërë shumë mirë, edhe pse kemi bërë disa gabime që nuk duhet të ndodhnin, por futbolli i njeh dhe këto gjëra. Jemi aty-aty me ecurinë e vjetshme, por diferenca e madhe e pikëve me Skënderbeun do të thotë që ata kanë bërë pak më mirë se ne. Do synojmë të minimizojmë gabimet në vazhdim, do rrisim dhe më shumë lojën dhe të marrim rezultate”, theksoi Shameti.

SITUATA

Kukësin e pret një kalendar “ferri”, por Shameti nuk mendon kështu. “Janë ndeshje që do të bëhen, është një motiv për t’i dhënë vetes një marsh më tepër. Nuk ka shumë ndryshim ku luajmë, si brenda apo jashtë fushe. Vetëm në atë lloj mënyre mund të marrim rezultate pozitive. Pa diskutim që nëse një ekip ndërtohet për titull, duhen rezultate pozitive. Kjo s’do të thotë që të jemi pesimistë, pasi është shumë herët.

Duhet të rrisim gjendjen, të bëjmë maksimumin dhe rezultatet do të vijnë. Avantazhi i vetëm është që të jemi të bashkuar dhe ta kthejmë këtë moment në një shtysë. Nuk duhet të importojmë situatën e Partizanit te ne. Një trepikësh me Partizanin është një lloj qetësie për ne dhe për të parë me optimizëm ndeshjet e radhës”, deklaroi mbrojtësi që luan sezonin e tij të pestë në Kukës.

PARTIZANI

“Të dyja ekipet janë mësuar të qëndrojnë lart. Ne kemi presionin e pikëve, ndaj na duhet fitorja se s’bën dhe besoj do t’ia arrijmë. Ata kanë një kohë të gjatë me probleme dhe kanë të drejtën e tyre legjitime për të synuar dhe marrë fitoren, por unë mendoj se në atë ndeshje fitues do të jetë Kukësi”, përfundoi Shameti.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"