Shameti e cilëson sezon të dështuar: Duhet të ishim në finale, në Korçë nuk thyhemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2018 | 19:57

Shameti e cilëson sezon të dështuar: Duhet të ishim në finale, në Korçë nuk thyhemi

Kukësi ka pasur një ecuri mjaft të mirë në kampionat në pjesën e dytë të sezonit, por eliminimi nga Kupa e Shqipërisë ka zhgënjyer jo pak drejtuesit e klubit. Në një bisedë për “Panorama Sport”, kapiteni Ylli Shameti thekson se ekipi i ka përqendruar energjitë te kampionati dhe kërkon që ta mbyllë sa më shpejt çështjen e vendit të dytë.

shameti

Ylli, Kukësi nuk arriti dot në finalen e Kupës, duke humbur shansin për ta mbyllur me trofe sezonin. Ishte ky zhgënjimi më i madh?

Pa diskutim që eliminimi nga Kupa ishte një goditje për ne. Është një zhgënjim sepse ishte objektiv i klubit. Por, futbolli i ka këto, edhe pse do të kishim shumë dëshirë për t’i shkuar deri në fund. Të gjithë kemi faj në këtë pjesë, por duhet të shohim përpara. Kemi një ekip dhe një staf drejtues që dinë të lënë mbrapa zhgënjimet, duke i kthyer në forcë dhe në favorin tonë për vazhdimësinë në kampionat.

Si e shikoni ndeshjen e radhës ndaj Skënderbeut?

Është një ndeshje e vështirë kundrejt një ekipi që ka bërë shumë mirë sivjet. Ne thjesht duhet të bëjmë lojën tonë dhe mos përsërisim gabimet. Ne i respektojmë të gjithë, ashtu siç na respektojnë edhe ata ne, por Kukësi nuk i druhet askujt. Kemi kapacitetet e nevojshme që të bëjmë mirë dhe, pse jo, të mundim këdo, qoftë ky dhe Skënderbeu.

Korçarët presin ta kthejnë në festë të dielën, pasi në rast fitoreje ndaj Kukësit shpallen matematikisht kampionë. Do ua prishni festën?

Ata mund të thonë dhe mendojmë çfarë të duan, por ne kemi një ndeshje transfertë, ku duhet të marrim maksimumin për t’iu shkëputur sa më shpejt vendit të tretë.

shameti

Ju kënaq një barazim ne Korçë?

Këtë nuk mund ta them, pasi është trajneri ai që i vendos objektivat dhe mënyrën e lojës në ndeshje. Natyrisht që dëshira është që të marrim fitoren në çdo fushë dhe në çdo ndeshje.

Si po ecën rikuperimi juaj pas dëmtimit, a do të jeni gati në Korçë?

Fati i keq nuk më është ndarë gjatë gjithë këtij sezoni, por shpresoj shumë që të jem gati për të dielën. Unë jam njëri prej lojtarëve të Kukësit, që kam sakrifikuar shumë që t’i gjendem dhe t’i shërbej ekipit tim, por gjithashtu jo në të gjitha rastet varet nga futbollistët, pasi nëse në një dyluftim përplasesh dhe thyen dorën, nuk është faji yt. Me këtë dua të them se, ashtu si unë, çdo futbollist dëshiron dhe kërkon që të japë maksimumin.

Kujt prej rivalëve u druheni për vendin e dytë?

Askujt nuk i druhemi, pasi ky vend na takon ne.

Ju përfundon kontrata pas mbylljes së këtij sezoni. Prisni të rinovoni me Kukësin apo do të kërkoni një aventurë tjetër?

Këtu jam si në shtëpinë time, gjithashtu ndihem i vlerësuar si nga presidenti, po ashtu edhe ambienti sportiv në Kukës. Dëshira ime është që të qëndroj, por të presim deri atëherë.

Mendoni se disa lojtarë këtë sezon kanë qenë totalisht jashtë forme dhe kanë ndikuar në rezultatet e ekipit?

Mendoj se të gjithë kanë dhënë maksimumin. Thjesht, si ekip kemi bërë gabime rrugës dhe ato na kanë kushtuar.

S.Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"