Shameti: Dhamë gjithçka, ja kush na penalizoi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2018 | 12:20

Shameti: Dhamë gjithçka, ja kush na penalizoi

Kapiteni i Kukësit, Ylli Shameti, ka shprehur keqardhjen e tij për eliminimin nga Liga e Europës. Menjëherë sapo përfundoi ndeshja, ai është parë shumë i mërzitur, madje me një pamje ku gati po lotonte. Pasi u ul për disa minuta në pankinë duke medituar, më pas u largua drejt dhomave të zhveshjes i shoqëruar nga duartrokitjet e atyre pak tifozëve që kishin mbetur në stadium.

shameti

Qendërmbrojtësi gjirokastrit, në prononcimin për “Panorama Sport”, mendon se në këtë eliminim ndikoi takimi i parë që, sipas tij, ekipi duhet ta kishte administruar më mirë. Ai thekson se në Elbasan skuadra bëri mirë, por nuk mjaftoi për kualifikimin. “Normalisht janë dy ndeshje, të cilat duheshin administruar më mirë, gjë të cilën ne nuk e bëmë në takimin e parë. Sa për ndeshjen e sotme (djeshme), besoj se ia dolëm të bënim mirë, por në futboll, përveçse nuk duhet të bësh shumë gabime, duhet të kesh dhe fatin me veten, i cili na mungoi. Po ashtu dhe në Gjeorgji në disa raste nuk patëm fat. Jam shumë i mërzitur për këtë skualifikim, pasi kemi punuar me shumë dëshirë për të bërë përmbysjen.

kukesi

Megjithatë, kjo nuk mjaftoi”, deklaroi mbrojtësi, i cili bashkë me mesfushorin Besar Musolli janë lojtarët me më shumë vite te Kukësi që prej debutimit të skuadrës në elitën e futbollit shqiptar. Në fund, i pyetur në lidhje me të ardhmen, Shameti u shpreh: “Deri tani kam dhënë maksimumin për Kukësin. Shpresoj që klubi të më ofrojë kontratën e duhur”. Kujtojmë që mbrojtësit i skadon marrëveshja dhe tashmë do të diskutohet çështja e rinovimit. Gazeta mëson se drejtuesit ia kanë ofruar rinovimin mbrojtësit, por fakt është se palët nuk e kanë zyrtarizuar akordin, pasi lojtari pritet të takojë këto ditë presidentin Safet Gjici.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"