“Shahisti” Flik, gati të kapë “mat” Lionel Mesin. Trajneri bavarez përdor metodë të veçantë për argjentinasin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2020 | 10:16

“Shahisti” Flik, gati të kapë “mat” Lionel Mesin. Trajneri bavarez përdor metodë të veçantë për argjentinasin

Bajerni i Mynihut po punon intensivisht për të dalë i fituar nga ndeshja e sotme me Barcelonën. E konsideruar nga opinioni publik si finalja e parakohshme, të dyja skuadrat priten të dhurojnë spektakël sot në orën 21:00 në Lisbonë. Në kampin bavarez kanë menduar një metodë të veçantë se si të ndalin yllin e skuadrës katalanase, Lionel Mesin. Edhe pse trajneri Hansi Flik nuk pranoi faktin se Bajerni do të fokusohet vetëm te Mesi, faktet flasin vetë. Gjatë kohës në Lagos (qendra stërvitore), Flik ka urdhëruar punëtorët e fushës të ndajnë fushën në 30 pjesë (katrorë). Në këtë mënyrë Flik po përgatit “kurthin” për Lionel Mesin.

MESIIII

Markimi i tij do të bëhet gjithmonë nga dy lojtarë. Në stërvitje kjo metodë është kryer disa herë, dhe katrorët në fushë janë përdorur për të matur distancën ose hapësirën që skuadra ka lënë bosh gjatë markimit të “Pleshtit”. “Bild” shkruan se do të ishte naive të mendohet se Flik nuk po mendon për Mesin. Ai është i vetëdijshëm se nëse arrin ta neutralizojë yllin argjentinas, atëherë shanset për t’u kualifikuar në gjysmëfinale janë të mëdha. Fusha e stërvitjes i ngjante asaj të shahut me ndarjet në formë katrore dhe rrethore.

FLIK PRANON KURTHIN

Në konferencën e zhvilluar dje para ndeshjes me katalanasit, trajneri Hansi Flik iu përgjigj kështu pyetjes nëse kishte menduar një metodë të veçantë për të mbuluar yllin argjentinas. “Sigurisht që kemi menduar për Leon. Por nuk do ta zbuloj këtë gjë këtu. Gjëja më e rëndësishme është që të luajmë si skuadër. Të tregohemi të zgjuar dhe të luajmë të gjithë shanset tona. Do mundohemi t’ia bëjmë jetën sa më të vështirë, kjo është e sigurt”, tha Flik.

MESI DHE LEVANDOVSKI

Tekniku gjerman nuk i shpëton edhe pyetjes në krahasimin midis Robert Levandovskit dhe Lionel Mesit. “Nuk mund t’i krahasojmë ata të dy. Leva është një sulmues qendror i klasit botëror, që shënon dhe ndihmon skuadrën të shënojë. Lionel Mesi është prej vitesh lojtari më i mirë në botë. Ai është një lojtar i veçantë. Nuk e di nëse do të ketë një të dytë si ai në të ardhmen”, tha 55-vjeçari.

Sven Hoppe

Sven Hoppe

FAVORITI

“Të dyja skuadrat kanë shumë lojtarë cilësorë. Të gjithë e dimë që në sfida të mëdha, siç është kjo e nesërmja (sot) fati është një element i rëndësishëm. Por ne (Bajerni) duam ta detyrojmë fatin të vijë në krahun tonë. Ne duhet të besojmë te vetja dhe të luajmë një ndeshje me intensitet të lartë nga fillimi deri në fund”.

KUNDËRSHTARI

“Kemi shumë respekt për Barcelonën. Ata kanë dominuar në Europë në këto vitet e fundit. Spanjollët kanë qenë me lojën e tyre një inspirim për shumë lojtarë, klube dhe trajnerë. Kanë pasur dhe kanë në gjirin e tyre lojtarë të mëdhenj si Mesi, Pike, Suarez dhe Grizman. Të gjithë e dimë se çfarë kanë fituar këta lojtarë në karrierën e tyre. Por kjo nuk duhet të na trembë”.

FORMACIONI

“Të gjithë lojtarët që janë në listë kanë mundësi të luajnë. Pavar ka kaluar me sukses testet, por nuk do të jetë në gjendje të luajë në ndeshjen me katalanasit. Koman është mirë dhe mund të jetë një opsion. Pjesa tjetër e skuadrës është mirë, djemtë janë stërvitur me intensitet dhe mezi por presin të zbresin në fushën e lojës”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"