Sfidon Guardiolën, Murinjo kapet me trajnerin e Anglisë: Pse u tërhoq Sterling nga kombëtarja?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2020 | 10:39

Sfidon Guardiolën, Murinjo kapet me trajnerin e Anglisë: Pse u tërhoq Sterling nga kombëtarja?

Zhoze Murinjo nuk i ka kursyer provokimet ndaj rivalit të tij, Pep Guardiolës, në konferencën për shtyp përpara duelit të sotëm kundër Mançester Sitit. Trajneri i Totenhemit i ka bërë thirrje trajnerit të Anglisë, Garet Sauthgejt, që të tregojë se cilët kolegë klubesh i bëjnë presion për tërheqjen e lojtarëve nga grumbullimi me kombëtaren. Garet Sauthgejt tha pak ditë më parë se trajnerët e Premier Ligës i bëjnë presion lojtarëve të tyre për të mos u aktivizuar apo grumbulluar. Dhe Mou thotë se Rahim Sterling do të luajë sot kundër Totenhemit, pavarësisht se ai u largua nga kombëtarja angleze që të shtunën, duke munguar në ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Belgjikës dhe Islandës dhe mos u aktivizuar asnjë minutë në miqësoren me Irlandën.
jose-mourinho-gareth-southgate_eb864gljyz5e1ph4h1im4284m
Arsyeja e tërheqjes së sulmuesit të Sitit ishte një problem i vogël, por portugezi akuzon: “Sigurisht që të gjithë e dimë se Sterling do të luajë. Kur Erik Daier la grumbullimin e kombëtares muajin e shkuar i dëmtuar, ai nuk luajti dy ndeshje për Totenhemin dhe iu deshën disa javë që të riaftësohej. Por Rahim do të luajë nesër (sot). Kejn luajti 76 minuta kundër Islandës? Unë jam në rregull me këtë. Trajneri i kombëtares nuk duhet të jetë një marionetë. Por problemi është se duhet të jetë një standard për të gjithë, jo vetëm për disa. Lexova se Sauthgejt tha se disa trajnerë klubesh i bëjnë presion lojtarëve që të mos luajnë me kombëtaren. Do doja t’i thoshte emrat dhe cilët janë ata me të cilët ai flet në telefon sepse kështu dëgjova se u shpreh”.

Përpara duelit të sotëm, portugezi pranon se Totenhemi i tij është më i fortë se ai që mundi Mançester Sitin sezonin e shkuar, por edhe “Qytetarët” janë përmirësuar. “Ne jemi më të mirë, por edhe ata janë më të fortë. Pep ka një vit më shumë që punon me këta lojtarë. Ai është një trajner fantastik dhe Siti është një skuadër që gjatë dekadës së fundit luan për titull”. Pastaj edhe komplimentet për rivalin, i cili të enjten rinovoi edhe për dy vite në “Etihad”: “E vetmja gjë e sigurt është se askush nuk i vuri pistoletën në kokë Pepit për të firmosur. Ai është i lumtur që do qëndrojë dhe duhet të ketë pasur biseda me njerëz të fuqishëm në klub dhe ai e di se çfarë do të ketë përpara në të ardhmen. Ai ka motivimin, ai e dashuron këtë punë dhe nëse vendosi të qëndrojë kjo ka ardhur sepse donte, kështu që unë jam i lumtur për të”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"