Sfidojnë verilindorët, flet Ndreu: Kukësi i fortë, ne duhet të bëhemi skuadër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2021 | 9:26

Sfidojnë verilindorët, flet Ndreu: Kukësi i fortë, ne duhet të bëhemi skuadër

Trajneri i Kastriotit, Ramazan Ndreu, është i bindur se për skuadrën e tij është çështje kohe që të tregojë veten. Në një intervistë për “Panorama Sport”, numri një i krutanëve foli hapur për situatën.

Dane Ndreu

E nisët me humbje me Dinamon. Çfarë nuk funksionoi tek ekipi juaj?

Dëshira ishte e madhe që ta fitonim atë ndeshje, por po ta kapësh lojën nga i gjithë 90-minutëshi, edhe në ato matjet që kemi bërë ne, del që ne kemi pasur më shumë raste për gol, më shumë mbajtje të topit në zotërim, në të gjitha elementet ishim më lart se ata. Ndryshimi i vetëm ishte që ata e nisën mirë lojën dhe lojtari gol që ata kishin ua zgjidhi situatën. Gjithsesi, ishte një ndeshje që na “vrau” pak që në start, por ajo që mua më kënaq, është se lojtarët reaguan dhe në përgjithësi, sidomos pjesën e dytë, zhvilluan një paraqitje të mirë dhe kjo ta jep atë qetësinë dhe garancinë që kjo skuadër do shkojë mirë.

Edhe këtë vit skuadra nuk përqendrohet në minutat e para të ndeshjes dhe ka pësuar gola ashtu si vjet. Përse ndodh kjo?

Boll mundohemi që në anën psikologjike të punojmë shumë në këtë drejtim. Ky është një moment i vështirë, unë e lidh me skuadrat që nuk janë të kolauduara mirë, pasi edhe vjet na ka ndodhur në ndeshjet e para. Kjo ndodh në përgjithësi me skuadra që ende nuk janë të kolauduara mirë, me skuadra që ende nuk e ka atë formimin që u duhet, atë bashkimin që ta krijon idenë se loja nis në sekondën e parë, pra janë pak të çorientuar dhe këtë e jep ai moskoordinimi i mirë. Por besoj që kjo nuk do të ndodhi në ndeshje të tjera.

Do të ndryshoni diçka për ndeshjen me Kukësin?

Reparti më i dobët në start ishte mbrojtja, ishte jo në nivelin e duhur. Ndoshta është repart që kemi bërë shumë ndryshime, sidomos dy qendrat janë lojtarë që luajnë rishtas në Superiore dhe pikërisht aty morëm edhe golat. Mendoj që do kemi ndryshime dhe aty, por edhe në pozicione të tjera. Duhet të kemi parasysh që çdo ndeshje që kalon neve na jep atë mësimin e duhur për të korrigjuar ato pika që ndoshta nuk e kemi pasur gjithë kohën e mjaftueshme për t’i vendosur lojtarët në pozicionet e tyre. Ajo që unë u kam bërë të ditur lojtarëve është se e gjithë skuadra të mbrojë dhe e gjitha të sulmojë. Dhe këtë ndeshje do mundohemi të aktivizojmë lojtarë që edhe të mbrojnë, edhe të shërbejnë nga maja e sulmit e deri në fundore. Në qoftë se nuk e bëjmë këtë, do kemi probleme, ndaj do bëjmë disa ndryshime dhe do të fusim lojtarë që do të jenë shumë të kujdesshëm në mbrojtje, mesfushë dhe sulm.

Çfarë prisni nga përballja me Kukësin, duke qenë se vjet e keni mposhtur 3 herë?

Ai ishte viti i kaluar, ata tani janë tjetër skuadër dhe ne jemi tjetër. Por, gjithsesi nga ajo që kam parë në një ndeshje miqësore të tyre, është një skuadër e mirë, ka lojtarë me nivel dhe mendoj që do jetë një ndeshje shumë e fortë. Por ajo që unë dua të them është se po ta kapësh hollë, të gjitha ndeshjet të forta janë pasi 10 ekipe janë, ndaj edhe me Kukësin jemi munduar ta përgatisim mirë skuadrën gjatë këtyre ditëve që kemi pasur në dispozicion dhe ajo që unë kërkoj gjithmonë nga lojtarët, është që të japin maksimumin. Prandaj quhet futboll, pasi fitorja mund të shkojë edhe në krahun e Kukësit dhe në krahun tonë, por ne nëse do të luajmë mirë, do të japim maksimumin. Atëherë edhe nëse nuk marrim pikët e plota, e rëndësishme është që jemi aty, prezent me lojë, me shpirt gare, me atë që garantojnë të ardhmen e skuadrës.

Ashtu si Kastrioti edhe Kukësi ka ndryshuar shumë këtë sezon. Sa e njihni si kundërshtar?

Për hir të së vërtetës, janë dy skuadra që bëjnë shumë ndryshime çdo vit. Nuk është e mirë, por ja që të dyja këto skuadra i bëjnë këto ndryshime. E thashë më lart, e kam parë në një ndeshje miqësore dhe ajo që bie në sy te Kukësi është se ka disa lojtarë që kanë cilësi, janë lojtar të mirë, por i kombinuar me lojtarë të rinj. Gjithsesi, është një skuadër që do pasur shumë kujdes, sepse ka nivel.

Fakti që luhet në Elbasan, ju sjell ndonjë problem apo ju ndihmon ju si skuadër?

Asnjë avantazh, asnjë disavantazh. Ne kemi tri vite që i zhvillojmë ndeshjet jashtë fushës tonë. Jemi mësuar, si në Kamzë, si në Elbasan, ndaj nuk është problem.

Keni thënë se keni më shumë cilësi se vjet. Është ende shpejt, por a mendoni që do jeni më të qetë sa u takon objektivave?

Ajo që më bën optimist, është skuadra që e ka cilësinë, e ka dëshirën dhe asgjë nuk na mungon. Por, është vetëm ajo që e kam thënë shpeshherë, çdo gjë do kohën e duhur, do kohën e mjaftueshme për të bërë një skuadër. Nuk mundesh kurrë për aq kohë sa kemi pasur ne, 3-4 javë, që të jesh një ekip kompakt. Koha është e shkurtër për t’i dhënë harmonin një skuadre, për t’i bashkuar ato cilësi që i duhen skuadrës për të bërë grupin dhe për të bërë një lojë që të jetë e kënaqshme dhe efikase.

Së fundi, pamë një Kastriot më të qetë, nuk ishte agresiv si sezonet e shkuara. Mos vallë ka ndryshuar mënyrën e lojës Kastrioti?

Absolutisht jo. Unë mendoj që skuadra do të jetë më agresive (në aspektin sportiv) sesa sezoni që shkoi. Unë u bëj të ditur lojtarëve që loja e ashpër pa top, me lojën agresive me topin janë dy të ndara. Unë kërkoj pafundësisht që të jenë agresivë me topin, në luftë, dëshirë, të etur për të dhënë maksimumin në fushë, por e lidh me ndeshjet e para. Ne duam kohën tonë pa diskutim që të krijojmë atë frymën që e ka kjo skuadër.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"