Sfidojnë Tiranën në ndeshjen e parë të kampionatit, flet Rexhepi: U trondita për Tetovën, ju tregoj Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2021 | 13:48

Sfidojnë Tiranën në ndeshjen e parë të kampionatit, flet Rexhepi: U trondita për Tetovën, ju tregoj Skënderbeun

Skënderbeu do të startojë kampionatin këtë fundjavë me një transfertë të fortë përballë Tiranës. Në kushtet kur bardhekuqtë janë të fokusuar te starti i sezonit, për Bekim Rexhepin gjithçka ka rëndësi, fillimisht harmonia dhe mbarëvajtja e ekipit në kushtet e bashkëpunimit. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, portieri bardhekuq ka folur rreth startit të sezonit dhe mbi të gjitha për ndeshjen e parë ndaj Tiranës, takim ky që për Rexhepin duhet marrë maksimumi.

Rexhepi Skenderbeu

Një tjetër sezon fillon tani. Cilat janë pritshmëritë e Rexhepit, për Skënderbeun dhe personalisht?

Në këtë sezon që nis, për të gjithë pritshmëritë janë më të mëdha se një vit më parë. Do të kërkojmë që të marrim maksimumin në çdo ndeshje dhe të mbajmë grupin e fortë pavarësisht situatave që mund të krijohen. Nuk do t’i ndajmë gjërat individualisht, por do t’i shohim ato në përgjithësi si grup i fortë dhe cilësor.

Çfarë ka ndryshuar nga Skënderbeu i një sezoni më parë?

Nuk ka ndryshuar shumë në aspektin e mentalitetit dhe kjo është kryesorja, pasi nga mentaliteti fundin e sezonit të kaluar ishim të fortë dhe të gjithë e panë çfarë bëmë. E rëndësishme gjithashtu është që nuk kanë ndryshuar shumë aktorët e fushës. Jemi po të njëjtin lojtarë dhe gati për të bërë më të mirën e mundshme këtë sezon. Me përforcimet e fundit që kemi bërë këtë sezon ekipi duket shumë herë më i fortë dhe i konsoliduar.

Të shtunën përballë Tiranës. Çfarë ndeshjeje prisni?

Do të jetë një ndeshje delikate dhe kjo është më se normale. Është një ekip që pretendon për titull dhe ka shumë lojtarë cilësorë. Skënderbeu i këtij sezoni ndryshon shumë nga ai i vjetshmi. Ne e shohim veten të barabartë me çdo kundërshtar që do të luajmë dhe kjo është thelbësore. Kështu, janë të paralajmëruar që Skënderbeu nuk do të jetë një kundërshtar i thjeshtë. Jemi me bindje të përgatitur që do të dalim të marrim më të mirën.

Fakti që ekipi është më i rritur këtë vit ndikon te performanca në ndeshje?

Normal, kjo është një plus shumë i madh për ne. Jemi një grup që luajmë sezonin e dytë së bashku dhe njohim mirë lojën e njëri-tjetrit. Tani jemi më të bindur dhe më me harmoni sesa një ekip i ndërtuar nga i pari e deri tek i fundit.

Rexhepi, jashtë futbollit, si i keni përjetuar ngjarjet e ndodhura në Tetovë?

Të tregohem i sinqertë kam qenë shumë në ankth në momentin që e kam marrë vesh. Më vjen me të vërtetë keq për goditjen që ka marrë ai qytet pasi është diçka që të vret teksa e dëgjon. Më vjen keq për gjithë ata të lënduar dhe personat që kanë humbur jetën në atë shpërthim zjarri.

Keni pasur telefonata nga miqtë?

Po, pa fund. Jo vetëm që kam pasur telefonata të shumta nga shumë miq dhe të afërm, por kam telefonuar dhe jam interesuar edhe unë për personat e mi të afërt që jetojnë atje. Për fat të mirë, asgjë e keqe nuk u ka ndodhur.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"