Sfidojnë Tiranën, flet Ndreu: Ritmi i Kastriotit as 50%, por sot s’dalim pa pikë ndaj bardhebluve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2021 | 10:15

Sfidojnë Tiranën, flet Ndreu: Ritmi i Kastriotit as 50%, por sot s’dalim pa pikë ndaj bardhebluve

Kastrioti pret sot Tiranën në një ndeshje mjaft të rëndësishme për vetë faktin se në dy ndeshjet e para krutanët nuk kanë marrë ende pikë. Shkalla e vështirësisë është më e madhe kur kemi të bëjmë edhe me mungesa nga formacioni që ka luajtur titullar në këto dy ndeshje. Greca, Prodani, Karakaçi dhe Onanuga janë në dyshim për këtë ndeshje duke i bërë të detyrueshme ndryshimet në formacion. Në prag të kësaj sfide, tekniku Ramazan Ndreu, foli për situatën në skuadër, teksa pavarësisht ndryshimeve ka besim se skuadra e tij do t’ia dalë në sfidën e sotme.

Dane Ndreu

Pas nisjes jo të mirë të kampionatit, vjen fitorja në Kupë. A ju shërbeu ajo fitore edhe për moralin në kampionat?

Sigurisht që na shërbeu shumë, pa dashur të nënvlerësoj skuadrën e Elbasanit, ishte një skuadër e lehtë që na lejonte të bënim veprime taktike. Ndaj edhe na shërbeu shumë.

Kundërshtari i radhës, Tirana. E vështirë?

Kuptohet që është një ndeshje shumë e vështirë, me një skuadër shumë të mirë, pa diskutim me emër dhe me nivel, ndaj na del për detyrë që këtë ndeshje ta vlerësojmë maksimalisht nga ana jonë në të gjitha drejtimet, aq më tepër që vijmë pas dy rezultateve jo të mira. Skuadra, pavarësisht se nuk kemi marrë pikë ka luajtur mirë, ndaj na del për detyrë që ta vlerësojmë në të gjitha aspektet, në çdo detaj, në mënyrë që të jemi të kujdesshëm për të marrë rezultat pozitiv, që është oksigjen për ne, ndaj kam besim shumë te fitorja.

Gjendja e skuadrës para kësaj sfide?

Jemi akoma një skuadër që afro 50% nuk jemi në ritmin e duhur, nga kjo vjen ky mosfillim i mirë i kampionatit. Ndaj kam besim që nga kjo ndeshje dhe në vazhdim, skuadra të ketë një stil loje, lojtarët shpresojmë që marrin formën e duhur dhe të dalim aty ku ne presim, te rezultatet pozitive që të them të drejtën na kanë munguar.

Shumë mungesa në këtë ndeshje, a janë penalizuese?

Është e vërtetë që kemi disa mungesa, por krahas tyre do të thosha që në fillim të kampionatit ka edhe lojtarë që akoma nuk e kanë marrë formën dhe në këtë ndeshje do të luajnë ata që do jenë më mirë fizikisht, janë më në formë dhe atyre do ua besojmë këtë ndeshje. Kuptohet, kemi lojtarë të mirë që janë aty por nuk e kanë formën e duhur, kështu që do të marrin pjesë lojtarët që janë 100% të angazhuar, lojtarët që janë në ritëm dhe do t’i besojmë ndryshimeve në formacion.

Edhe sa duhet të presim që ta shohim Hasanin në fushë?

Kemi thënë edhe herë të tjera, dëmtimi që ka pasur Hasani ka qenë specifik, pasi është operuar dy herë. Megjithatë, gjatë kësaj kohe ka filluar të stërvitet me grupin. Dhe këtë javë nuk është ende gati por në javët në vazhdim besoj që do ta kemi.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"