Sfidojnë Partizanin, flet kapiteni i Besëlidhjes: Gati t’i surprizojmë “demat”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2021 | 10:55

Sfidojnë Partizanin, flet kapiteni i Besëlidhjes: Gati t’i surprizojmë “demat”

Të martën pasdite, Besëlidhja, nën drejtimin e trajnerit Alban Bruka, i dha fund përgatitjeve për sfidën e sotme ndaj Partizanit, për 1/8-at e Kupës. Ndeshja e parë është mbyllur me fitoren minimale të “demave”, ndërsa ajo e kthimit do të luhet në stadiumin “Nexhip Trungu” të Turbinës, në orën 13:30.

BESELIDHJA PARTIZANI

Lezhjanët janë vendosur në Elbasan pasditen e djeshme dhe nesër paradite do të udhëtojnë drejt Cërrikut. Pavarësisht se Besëlidhja po noton në ujërat e turbullta të rënies nga kategoria, ndeshjen ndaj Partizanit po e vlerëson maksimalisht. Lezhjanët pretendojnë përmbysjen e rezultatit të aktit të parë.

Besëlidhja, në pesë vitet e fundit, e ka eliminuar dy herë Partizanin, pikërisht në të 1/ 8-at e Kupës dhe këtë sukses kërkojnë ta kthejnë në traditë. Kapiteni i Besëlidhjes, Patrik Fetaj, i cili në të shkuarën ka luajtur me të rinjtë e Partizanit, foli para kësaj ndeshjeje për “Panorama Sport”, ku në vëmendje kishte ndeshjen e sotme. Ai tregon se lezhjanët kërkojnë kualifikimin dhe do të bëjnë maksimumin për të arritur këtë objektiv. Në fund, Fetaj flet edhe për krizën që po kalon Besëlidhja në të Parën, teksa e krahason me atë të Partizanit në Superiore.

“Performanca jonë në ndeshjen e parë ndaj Partizanit na ka hapur oreksin për të pretenduar më shumë, pavarësisht problemeve në kampionat. Ndeshen dy ekipe të kategorive të ndryshme, por me “halle” të njëjta në kampionat. Partizanit, Kupa i duhet për Europën si e vetmja shpresë, ndaj do të luftojë me të gjithë “arsenalin”. Duke iu referuar kësaj, ne duhet që të japim maksimumin për të pretenduar kualifikimin.

Sa i takon kampionatit, ne aty duhet të përqendrojmë investimin tonë, pasi ende notojmë në zonën e ujërave të turbullta. Do të japim maksimumin ndaj Partizanit, por do të jemi po aq gati edhe për ndeshjen e kampionatit ndaj Shkumbinit në fundjavë. Objektivi ynë deri në fund të vitit, kur mbaron edhe faza e parë, është ngjitja në zonën e sigurt. Për fazën e dytë, shpresojmë që të kthehemi në kërcënim për kreun, për të qenë deri në fund të qetë.

Jo vetëm matematika, por edhe forma që po kalojmë na e mundëson këtë”, përfundoi kapiteni i Besëlidhjes. Skuadra lezhjane do të luajë me formacionin 4-4-2 ndaj Partizanit dhe në fushë do të jenë më të mirët në dispozicion.

bes

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"