Sfidojnë kryesuesit e Bylisit, flet Gjyla: Nuk e rrezikojmë mbijetesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2021 | 10:58

Sfidojnë kryesuesit e Bylisit, flet Gjyla: Nuk e rrezikojmë mbijetesën

Lushnja ndodhet e 9-ta në tabelë dhe në sajë të golavarazhit më të mirë, është jashtë zonës “play off”. Megjithatë, e keqja s’ka kaluar. Sot udhëtojnë në Ballsh, atje ku do të luajnë me Bylisin e pathyeshëm. Ilir Gjyla nuk e sheh të rrezikuar ekipin e tij dhe këtë e bazon te përvoja 23- vjeçare në fushën e trajningut.

Ilir Gjyla Lushnja

“Nuk mendoj se rrezikojmë. Sigurisht që kampionati është i vështirë, por po ta shikoni dhe skuadra të tjera kanë filluar luhatjet. Nëse ne i përjetuam në fillim, të tjerët po e provojnë tani. Si specialist, si profesionist, mund të them që edhe pritet dhe për këtë ka disa argumente.

I pari është se është një skuadër e mbledhur. Kokrra-kokrra, tektuk. Është ajo që kemi thënë, që bëjmë zgjidhje. Flasim me këmbë në tokë, si profesionistë. Kemi fituar një ndeshje dhe jemi të qetë. Nuk heq asnjë presje, nga ajo që kam thënë. Janë futbollistë të mbledhur, të rinj”, ta fillimisht për “Panorama Sport” tekniku verdhejeshil dhe më pas u ndal te kundërshtari.

“Bylisi është skuadra më e mirë. Këtë e tregojnë pikët që ka. Presidenti i ballshiotëve ka nën kontratë 70 lojtarë, ndërsa ne e fillojmë stërvitjen 2 apo 2 muaj e gjysmë përpara për të bërë 25 futbollistë dhe plotësuar numrin. Bylisi është një skuadër e konsoliduar.

Të kesh 90% të ekipit të vjetshëm, është bonus. Për mendimin tim, kundërshtari ka një skuadër të konsoliduar, të stërvitur mirë, me një buxhet të mirë. Sa herë që kemi luajtur e kemi respektuar si një skuadër elite, edhe pse për mua ata nuk duhet të kishin dalë nga Superiorja.

Ballshiotët kanë një skuadër për t’u respektuar. Por, duke respektuar kundërshtarin, unë mendoj se respekton veten. E megjithatë, ne nuk do të shkojmë në Ballsh që të dorëzohemi dhe as shëtisim. Do të luajmë futboll, do të japim maksimumin dhe, pse jo, të marrim diçka”, përfundoi trajneri.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"