Sfidojnë Dinamon, flet trajneri i Burrelit: Fitojmë dhe blindojmë vendin e dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2021 | 12:36

Sfidojnë Dinamon, flet trajneri i Burrelit: Fitojmë dhe blindojmë vendin e dytë

Burreli do të luajë sot ndeshjen më të rëndësishme të sezonit. Presin Dinamon dhe qëllimi është vetëm një: fitorja dhe blindimi i vendit të dytë. Edhe pse nuk e siguruan dot ngjitjen direkte, shanse kanë ende për të kapur një vend në elitë.

Nikaj dhe Renato Hoti

Që t’ia dalin, duhet të kalojnë edhe dy ndeshje shtesë. Të parën e kanë me Tomorin e Grupit B dhe e dyta me të 8-ën e Kategorisë Superiore. Gjithsesi, llogaritë nisin fillimisht me kryeqytetasit. Këta të fundit vijnë pa pretendime (pasi janë rikthyer matematikisht në elitë), por matjanët nuk u zënë fort besë.

Këtë e pohon edhe Renato Hoti, i cili prej javësh po drejton skuadrën. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport” ai mundohet që të karikojë grupin për këtë 90-minutësh, ndonëse ka disa mungesa në formacionin bazë.

“Do të jetë ndeshje e vështirë. Përballë kemi një rival të fortë dhe mobilizimi përballë Dinamos duhet të jetë maksimal. Megjithatë, duke parë impenjimin e lojtarëve gjatë kësaj jave në stërvitje, më është shtuar besimi. Mendoj se do t’i marrim tri pikët dhe do të sigurojnë ‘play off’-in. Dëmtime kemi ende, por jam i bindur se ata që do të luajnë, do të japin 100% në fushë”, përfundoi Hoti.

DRITAN KURTI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"