Sfidojnë Barcelonën, flet Nagelsman: Ndeshje që duhen fituar me lojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2021 | 12:55

Sfidojnë Barcelonën, flet Nagelsman: Ndeshje që duhen fituar me lojë

Trajneri Julian Nagelsman mezi pret ndeshjen e sotme ndaj Barcelonës. 33-vjeçari tha për UEFA-n se Champions-i është gjithmonë një kompeticion i rëndësishëm dhe motivues për të.

Nagelsman

PËR SKUADRËN – “Gnabri ka udhëtuar me ne. Koman është gjithashtu këtu, por nuk mund ta nisë ndeshjen nga minuta e parë. Levandovski është në gjendje të mirë”.

PËR BARÇËN PA MESIN – “Ata nuk do ta kenë luksin për ta pasur Mesin në skuadër, por kanë gjithashtu lojtarë të tjerë të rëndësishëm. Jemi përgatitur për gjithçka. Nuk mendoj që janë një skuadër më e dobët. Fusha e lojës do ta tregojë këtë.

PËR RROTACIONIN – “Nuk kemi marrë asnjë vendim deri tani. Në aspektin e paraqitjeve nuk mendoj që është nevoja të ndryshojmë diçka. Por nga ana e formës mendoj që po, gjithsesi do të vlerësojmë gjithçka në orët e ardhshme”.

PËR CHAMPIONS-IN – “Është një nga kompeticionet më të rëndësishme për klube. Të gjithë lojtarët janë dyfish të motivuar dhe duan të fitojnë sërish. Na pret një ndeshje e parë e vështirë ndaj një skuadre me shumë histori në Europë”.

PËR FAVORITËT – “Kjo puna e favoritëve është vetëm një çështje për mediat. Dy klube të mëdha do të ndeshen së bashku për të dhuruar emocione për tifozët e tyre dhe për shumë të tjerë që e dashurojnë këtë lojë”.

PËR MUNGESËN E MESIT – “Mesi ishte tipi i lojtarit që zgjidhte i vetëm ndeshjet e mëdha. Por mendoj që Barça tani do të jetë më shumë një skuadër. Depai dhe De Jong janë lojtarë të mëdhenj që vijnë nga shkolla holandeze. Sigurisht që nuk janë Mesi”.

PËR STILIN E LOJËS – “Në fund nuk ka rëndësi nëse është një stil i lojës së Nagelsmanit, por i Bajernit. Ne duam të fitojmë me lojë të bukur dhe kjo nuk ka diskutim. Nuk dimë të luajmë ndryshe. Futbolli është më i bukur nëse luan me ritëm dhe ke kontrollin më të madh të topit, sigurisht edhe kur shënon gola”.

PËR TRAJNERËT GJERMANË – “Ne trajnerëve gjermanë na është dhënë mundësia për të stërvitur klube të mëdha me të cilat mund të fitojmë Championsin. Është një përgjegjësi e madhe e cila kërkon përkushtim dhe seriozitet. Mendoj që Tuheli, unë, Hansi dhe Jurgeni kemi bërë një punë të madhe deri tani duke përfaqësuar denjësisht shkollën e trajnerëve gjerman”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"