Sfidë speciale e mesfushorit të Teutës, Aleksi: Nëse shënoj ndaj Luftëtarit…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2019 | 17:13

Sfidë speciale e mesfushorit të Teutës, Aleksi: Nëse shënoj ndaj Luftëtarit…

Ka luajtur për katër vite te Luftëtari dhe kontributi i tij nuk do të harrohet nga klubi bluzi. Albano Aleksi, mesfushori, tashmë luan për Teutën.

teuta

Të shtunën rikthehet në “Gjirokastër”, ku do të përballet me ish-ekipin e tij. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 27- vjeçari analizon situatën e skuadrës së tij, por edhe të Luftëtarit. Është i bindur se do të japë maksimumin në takimin e fundjavës dhe këtë e thotë pa pikë mëdyshje.

Albano, të shtunën luani kundër Luftëtarit. Si është për ju të përballesh me ish-skuadrën tuaj?

Të shtunën, do të luajmë një ndeshje të rëndësishme kundër Luftëtarit. Emocionet sigurisht janë të pranishme, megjithatë unë do të jap maksimumin. Do të luaj si me të tjerët. Kam kaluar 4 vite shumë të mira në Gjirokastër dhe kam bërë shumë miq.

teuta

Do jetë një ndeshje më e thjeshtë kjo për Teutën?

Jo, nuk duhet ta quajmë një ndeshje të thjeshtë, pasi kështu do e nënvlerësonim shumë këtë takim dhe mund të kemi probleme nëse e bëjmë një gjë të tillë. Ne do të japim maksimumin në fushën e blertë. Edhe unë, gjithashtu, do të bëj çmos për të fituar.

Sa i fortë është ekipi juaj dhe sa i dobët është Luftëtari?

Ne të gjithë jemi optimistë për sfidën e radhës. Ndërsa për Luftëtarin mund të them që janë një ekipi i mirë, nuk kanë dallime me të tjerët, pavarësisht gjendjes që po kalojnë.

aleksi teuta

A jeni të përgatitur për t’u përballur me bluzinjtë, pasi tashmë synimi i tyre janë vetëm tri pikët?

Të gjithë lojtarët janë të përgatitur dhe impenjuar maksimalisht për këtë takim. Megjithatë, çelësi ynë i suksesit nuk është te përgatitjet. Por, ne po punojmë gradualisht, hap pas hapi në çdo sfidë për të dhënë më të mirën.

Strategjia juaj do të jetë në mbrojtje apo në sulm?

Ne nuk e ndryshojmë stilin e lojës, edhe kur luajmë në transfertë apo jemi në avantazh. Ne do të sulmojmë dhe do të jemi shumë të përqendruar.

Ku e mendoni se mund ta përfundojë Teuta këtë sezon?

Për momentin, ne mendojmë vetëm Luftëtarin. Po punojmë të gjithë që të sigurojmë tri pikët në ketë ndeshje. Vetëm kaq!

Nëse do të shënoni në këtë takim, do të festoni?

Fillimisht mendoj që të zhvilloj një ndeshje të mirë. Megjithatë, nëse shënoj, nuk do të festoj. Kjo, pasi do të respektoj skuadrën dhe tifozët që më kanë duartrokitur shpeshherë.

Zamir Qypi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"