Sfida nis nga Peza, Kukësi – Korabi batuta për… dushet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2017 | 14:37

Sfida nis nga Peza, Kukësi – Korabi batuta për… dushet

Në kompleksin “Internacional” në Pezë, aty ku njëherësh stërviten Kukësi, Partizani dhe Korabi, ndodhin nga të gjitha. Situata bëhet humoristike kur këto klube janë në prag të ndeshjeve mes tyre në kampionat.

Këtë të shtunë, në stadiumin “Zeqir Ymeri”, Kukësi pret Korabin. Gjatë kësaj jave në Pezë, dibranët po stërviten në orën 10:00, ndërsa vetëm 60 minuta më pas në fushë zbresin kryesuesit e kampionatit.

Korabi stervitje

Duke qenë se këto ditë moti ka qenë me shi dhe ka pasur pak diell, në dushet e dhomave të zhveshjes, që janë me panele diellore, uji i ngrohtë ka qenë me pakicë. Kjo situatë është bërë objekt humori dhe ngacmimesh dje në kompleksin e Pezës.

Duke qenë se të parët stërviten dibranët, këta të fundit kanë në njëfarë mënyre në dorë edhe Kukësin, që mbyll përgatitjet një orë më pas. “Po mundët, kurseheni pak ujin e ngrohtë këto ditë, pasi nuk mjafton për Kukësin”, ka qenë kërkesa për dibranët, të cilët kanë ironizuar. “E paska të vështirë Kukësi këtë javë, prandaj do ujë të ngrohtë”.

Batuta në distancë për këtë ka pasur edhe mes dy trajnerëve Ernest Gjoka dhe Gerd Haxhiu, të cilët njihen prej vitesh me njëri-tjetrin.

Kukesi stervitje

Problemet

Kukësi do të ketë një “mal” me mungesa në ndeshjen e së shtunës. Për shkak kartonësh nuk do të jenë të gatshëm Nijaz Lena, Rrahman Hallaçi dhe Kushtrim Lushtaku, ndërsa të dëmtuar janë Ylli Shameti, Izair Emini, Entonio Pashaji dhe Rexhep Memini. Ky i fundit ka një hematomë në kavilje dhe shpresohet që deri të shtunën të riaftësohet, por nuk ka garanci.

Nga ana tjetër, Emini po zhvillon terapi intensive, ndërsa Shameti ka marrë pushim të detyruar nga mjekët. Tersi i dëmtimeve vijon pasi edhe sulmuesi Kufre Ebong ka pësuar një tërheqje muskulore. Ndërkohë, mbrojtja është reparti më i vështirë, por Gjoka e ka një “as nën mëngë”, pikërisht Eni Imamin.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"