Sfida ndaj Vllaznisë/ Egnatia, për të mbajtur ritmin para “Play-Out”-it

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2022 | 11:20

Sfida ndaj Vllaznisë/ Egnatia, për të mbajtur ritmin para “Play-Out”-it

Egnatia do të luajë një ndeshje “play out”-i për të shpëtuar sezonin, teksa pret të mësojë rivalin që do të dalë nga fituesi i çiftit Korabi-Apolonia (luhet të hënën në Durrës).

EGNATIA

Mirëpo, këto dy javët e fundit të kampionatit, për trajnerin Zekirija Ramadani, janë vlerësuar si përgatitje në kuadër të finales së mbijetesës.

Në këto kushte, edhe sot ndaj Vllaznisë në “Loro Boriçi”, rrogozhinasit do të luajnë me formacionin më të mirë, ku ndryshimet nuk pritet të jenë të mëdha, krahasuar me takimin e fundit kundër Partizanit.

Ramadani kërkon të mbajë skuadrën në tonus, në mënyrë që deri në ndeshjen finale për mbijetesën, lojtarët të jenë të motivuar dhe të mos nënvlerësojnë asnjë situatë.

Trajneri ka pasur jo pak kritika për angazhimin e disa lojtarëve, kështu që pret nga kjo javë që skuadra të reagojë, duke bërë më të mirën në Shkodër.

Edhe pse pikët nuk ndryshojnë asgjë nëse merret një rezultat pozitiv në transfertën e sotme, sërish rrogozhinasit janë të motivuar për të luajtur ndershëm.

Në ndeshjen ndaj Partizanit iu afruan disa herë barazimit dhe kësisoj, me Vllazninë do të kërkojnë të bëjnë një tjetër performancë pozitive.

SHTUBINA – Sulmuesi shkodran, Ndriçim Shtubina, do të përshëndetet sot për herë të fundit me tifozët e Vllaznisë si futbollist profesionist.

35- vjeçari ka vendosur që të tërhiqet pas përfundimit të këtij sezoni, ndërsa do të respektojë edhe tifozët e Egnatias në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Dinamos, që do të luhet në Rrogozhinë më 26 maj.

eg

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"