Sfida ndaj Devollit, Magani apel skuadrës: Nëse nuk fitojmë rrezikojmë rënien, ky do të jetë një turp …

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2019 | 19:47

Sfida ndaj Devollit, Magani apel skuadrës: Nëse nuk fitojmë rrezikojmë rënien, ky do të jetë një turp …

Besa nesër do të presë në “Roza Haxhiu” të Lushnjës ekipin e Devollit, që renditet më mirë në klasifikim. Kjo javë nuk ka qenë aq e qetë për kavajasit, pasi presidenti Nexhat Bizhdili ka vendosur të “ngrijë” rrogën e muajit tetor dhe do ta “lëshonte” atë në këmbim të tri fitoreve radhazi. Në këtë situatë, lojtarëve do t’u duhet të luajnë për ekipin dhe për djersën e tyre. 

gugash magani

MAGANI – Trajneri peqinas i Besës, Gugash Magani, e thotë hapur se lojtarët duhet të fitojnë për veten e tyre dhe jo për të. “Ekipi është njohur për masën që ka marrë presidenti. Në këtë situatë ata duhet të luajnë për veten dhe jo për Gugash Maganin. Ua kam bërë të qartë që ditën që presidenti komunikoi masën se këto 3 javë lojtarët duhet të mendojnë për veten e tyre, edhe pse penalizimet i vuajmë njësoj, ashtu sikurse gëzojmë bashkë për sukseset.

Djersa dhe puna e një trajneri varet nga mënyra si ia shpërblen ekipi në fushë, prandaj kërkoj fitoren për të shpërblyer atë që kemi bërë çdo ditë bashkë. Përpos rrogës, këta lojtarë mbajnë një fanellë të rëndë që duhet ta vlerësojnë, duke dhënë gjithçka në fushë. Përballja me Devollin përmban jo vetëm luftën për rrogat, por brenda saj ka edhe fate të tjera, krahas emrit, traditës dhe historisë së Besës.

bizhdili magani

Çdo rezultat tjetër veç fitores do të na çonte të luftonim për mbijetesë, pasi vendi i 4-t do të ishte larg. Lojtarëve ua kam thënë në sy se ose do fitojnë për të ecur përpara, ose do të mbeten në luftën e mbijetesës dhe ky do të jetë një turp për ne. Personalisht e kam thënë se ky grup lojtarësh i ka kapacitetet të mundë këdo, por duhet vlerësim maksimal i çdo ndeshjeje. Nuk mund të fitosh pse ke shënuar i pari, duhet administrim i ndeshjes çdo minutë.

Ne kemi mundësi dhe e kemi treguar duke shënuar ndaj çdo kundërshtari, por kemi pasur dobësi, që shpresoj të mos përsëriten. Besoj plotësisht se jo vetëm Devollin, por gjithë të tjerët do t’i mundim. Me kujdes dhe përqendrim mund t’ia dalim”, ka thënë trajneri Magani. Ai e ka grupin të plotë për ndeshjen e nesërme me Devollin, pasi janë kthyer tashmë edhe Dobjani e Shimaj.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"